Shkodër, Basha: Debatet brenda
partisë janë tregues i demokracisë

Shkodër, Basha: Debatet brenda<br />partisë janë tregues i demokracisë
SHKODER- Nga Kuvendi Zgjedhor i demokratëve që po mbahet sot në Shkodër për zgjedhjen e kreut të ri të PD, Lulzim Basha është ndalur tek përplasjet brenda kësaj force politike. Kreu i PD i ka cilësuar përplasjet brenda partisë si “një tregues i demokracisë”, ndërsa ka theksuar se “Bashkimi është e vetmja rrugë për fitoren”.
 
“Shqiptarët presin prej jush një mesazh për ringritje. Epërsia jonë ndaj kundërshtarit duhet të startojë nga Shkodra. Në mandatin tonë të dytë disa zyrtarë krijuan distancë me qytetarët, ky nuk është parim i demokratëve. Debatet brenda partisë janë tregues i demokracisë, por bashkimi është e vetmja rrugë për fitoren”, tha Basha.
 
Edhe sot, kreu i PD ka vijuar akuzat ndaj mazhorancës, duke u shprehur se “nuk mund të ketë shtet ligjor nga oligarkia Rama-Meta. Lideri i demokratëve solli në vëmendje qëndrimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në letrën drejtuar senatin, ku sipas tij shprehte shqetësimin për vonesat në emërimin e ambasadorëve në disa vende strategjike mes të cilave dhe në Shqipëri ku vlerat e përbashkëta demokratike janë kërcënuar.
 
“Dy ditë më parë Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry tha citoj  ‘Pa autoritetin e një ambasadori, ne nuk mund të merremi plotësisht me zyrtarët e niveleve më të larta në vendet ku vlerat e përbashkëta demokratike janë kërcënuar’. Kjo është një deklaratë që pason alarmin e tij të disa muajve me parë për rrezikun që i kanoset demokracisë nga instalimi në disa vende i pushtetit oligarkik, pra të një grushti sundimtarësh që nuk pyesin as për ligj dhe as për vlera, siç është rasti i qeverisë Rama-Meta. Duke synuar të zëvendësojnë programet e zhvillimit me shitblerjen e votës, shtetin e së drejtës me sundimin oligarkik, meritokracinë me pazarat e pista, vlerat e krijuara brez pas brezi me interesat e paskrupullta”, tha Basha.

Kryetari i PD-së ka shprehur vendosmërin e çdo demokrati dhe të çdo shqiptari për të mbrojtur vlerat e demokracisë të cilat u fituan me sakrifica të mëdha nga shkodranët dhe gjithë shqiptarët.

“Duhet të ngrihemi, duhet të bashkohemi me njëri tjetrin dhe me gjithë shqiptarët që kanë në zemër ëndrrën e demokracisë dhe idealin e lirisë. Nuk duhet ta falim për asnjë çast ëndrrën e madhe të demokracisë, sakrificat dhe gjakun e heronjvë të 14 Janarit dhe 2 Prillit të Shkodrës, sakrificat dhe përpjekjet e këtyre 23 vjetëve. Në këtë betejë, në këtë mision, në ketë udhëtim kemi përkrah fuqinë më të madhe të botës, SHBA, kemi përkrah Bashkimin Europian. Ju demokratët shkodranë dhe demokratët në mbarë vendin po e përmbushni këtë mision sot duke zhvilluar demokracinë dhe zgjedhjet e lira brenda partisë”, tha Basha.

Ndërkohë për shkak të problemeve të brendshme zgjedhjet për kreun e PD Shkodër të cilat ishin parashikuar të mbaheshin të mërkurën më 9 korrik, u shtynë për t;u zhvillaur ditën e sotme.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Shkodër/ 15-vjeçari goditet me thikë, ndërron jetë në spital! Arratiset autori

E rëndë në Shkodër/ 15-vjeçari goditet me thikë, ndërron jetë në spital! Arratiset autori