Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të premte në aksin Shkodër- Lezhë, ndërsa një 51-vjeçar ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Beltojë kur motorçikleta tip “Astra” e drejtuar nga 51-vjeçari Vitor Rroku nga Vau Dejësi ka humbur kontrollin, duke kryer disa rrokullisje në tokë. Për pasojë 51-vjeçari ka marrë plagë të rëndë në kokë.  

Kanë qenë drejtuesit e automjeteve që kanë njoftuar policinë dhe urgjencën, ku kjo e fundit disa minuta pas aksidentit ka mbërritur në vendngjarje.

Menjëherë është bërë transportimi i 51-vjeçarit në spitalin rajonal të Shkodrës ku sipas bluzave të bardha ndodhet në gjendje kritike për jetën në reanimacion.

Ndërkohë ekspertët e policisë rrugore po punojnë në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e plota të këtij aksidenti.

Dyshohet se drejtuesi i motorçikletës ka qenë duke lëvizur me shpejtësi, kur sapo është futur në kthesë ka humbur kontrollin duke mos arritur të komandojë mjetin në fjalë. 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)