SHKODER - Kujtim Kraja, i ekzekutuar një ditë më parë në Shkodër është qëlluar nga dy persona me breshëri plumbash kallashnikovi, megjithatë autorët e këtij krimi ende nuk janë identifikuar. Konfirmimi ka ardhur nga grupi hetimor, i cili pas këqyrjes së vendit të ngjarjes ka gjetur gëzhojat e plumbave që qëlluan 45-vjeçarin. Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 30 gëzhoja model 56 kalibër, 7 copë gëzhoja pistolete model 54 kalibër, një bërthamë predhe të deformuar, si dhe automjeti ku u qëllua viktima, i llojit kamion vetëshkarkues, ngjyrë i bardhë me targë SH 0304 E.

Mësohet se 45-vjeçari ndiqej në gjendje të lirë për armëmbajtje pa leje. Policia e Shkodrës tha se gjatë një kontrolli në banesën e tij në janar të 2013-ës janë gjetur një sasi armësh pa leje, e si rrjedhojë ai hetohej në gjendje të lirë nga Prokuroria e rrethit. Kraja, i cili u vra në një pritë të mirëorganizuar, ishte kushëriri i Edmir Koçisë, 38-vjeçarit të ekzekutuar më 28 nëntorin e vitit të kaluar. Sipas policisë pista kryesore në të cilën po hetohet është hakmarrja. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së djeshme pranë "Varrezave të Dëshmorëve" në Shkodër. Mësohet se 45-vjeçari Kujtim Kraja gjeti vdekjen e menjëhershme nga breshëritë e automatikut prej personave ende të paidentifikuar, që kanë përshkuar tej për tej makinën në të cilën ai ndodhej.

15 TE SHOQERUAR, MES TYRE DHE I VELLAI I KUJTIM KRAJES


Në komisariatin e policisë janë shoqëruar mbi 15 persona, të cilët në ato momente kanë qenë duke punuar për nxjerrjen e skrapit, pranë grumbullit të inerteve që gjenden në zonën ku ndodhi krimi. Dëshmitarët kanë deklaruar se nuk kanë parë asnjë person të ketë qëlluar në drejtim të 45-vjeçarit, por kanë dëgjuar vetëm breshërinë e plumbave. Policia në vendngjarje, përveç trupit të viktimës dhe automjetit të tij nuk ka gjetur prova të tjera qoftë edhe gëzhoja, por nga dëshmitë e marra dyshohet se Kraja është qëlluar me kallashnikov. Shtëpia e vëllezërve Kraja ishte te fusha e Druve, rreth 200-300 metra larg Varrezave të Dëshmorëve dhe në momentin kur ka dëgjuar breshëritë ka shkuar drejt vendit të ngjarjes.

AUTORET DYSHOHET TE ISHIN FSHEHUR PRAPA GRUMBUJVE TE INERTEVE

Dyshohet se autorët e krimit, të cilët mendohet se mund të kenë qënë dy persona, i kanë zënë pritë Krajës pas grumbujve të inerteve dhe kanë pritur momentin kur ky i fundit ka qenë duke u futur në kthesë me makinën e tij. Në këtë moment, ata kanë qëlluar me breshëri në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend, pasi predhat e plumbave kanë përshkuar trupin e viktimës. Më pas dyshohet se autorët janë larguar me shpejtësi në rrugën kryesore që të çon në qytetin e Shkodrës.

KUJTIM KRAJA,  KUSHERI I EDMIR KOÇISE, I DYSHUAR PER DISA VRASJE
Sipas policisë, Kujtim Kraja ka qënë person i qetë dhe nuk ka pasur ndonjë konflikt apo problem me njeri. Kujtim Kraja është djali i hallës i Edmir Koçisë, të ekzekutuar në nëntor të 2012-ës, çka bën që policia të hetojë pistën e hakmarrjes. 

E vetmja pistë hetimi e kësaj vrasje, për momentin është lidhja familjare që 45-vjeçari ka me Koçinë, 38-vjeçarin i cili dyshohej si autor i një sërë vrasjesh dhe u ekzekutua në një pritë të mirëorganizuar përpara derës së shtëpisë së tij në Shkodër. Madje një ditë pas vrasjes, grupi hetimor i Shkodrës bëri të ditur se, pasi e ekzekutuan, autorët kanë shtënë me pistoletë 2-3 herë në ajër, shenjë se gjaku u mor. Më 20 janar 2013 në Shkodër u ekzekutua Kujtim Vajushi, i njohur si rival i Koçisë. Deri tani për këto vrasje nuk ka asnjë autor të vënë para drejtësisë. 

DREJTORI I POLICISE: VRASJET NE SERI, HERET PER T'I LIDHUR ME NJERA-TJETREN
Në një prononcim për Shqiptarja.com, drejtori i policisë së qarkut të Shkodrës, drejtuesi i parë Aleks Hajdari, tha se po vijojnë hetimet intensive në lidhje me ekzekutimin më të fundit, atë të Kujtim Krajës. I pyetur në lidhje me vrasjet seri që kanë të përbashkët emrin e Edmir Koçisë, Hajdari tha: “Vrasjet janë në seri, por jemi në hetime dhe është ende herët për të folur nëse ato kanë lidhje me njëra-tjetrën”.

Në lidhje me vrasjen e Krajës, drejtori i policisë tha se çështja po hetohet dhe po verifikohet çdo dëshmi dhe provë e mbledhur.


*Shkrimi u publikua fillimisht më 2 mars ora 13:50 dhe u përditësua sot ora 10:00

Redaksia Online
(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)