SHKODER - Gjendet një kufomë e dekompozuar në afërsi të fshatit Poice të komunës së Shkrelit në Malësinë e Madhe.

Kufoma e seksit mashkull mësohet të jetë gjetur nga një bari i këtij fshati, i cili menjëherë ka lajmëruar kryeplakun dhe ky i fundit ka njoftuar policinë e komisariatit të Koplikut.

Viktima është gjetur i dekompozuar në shpatin e malit, në një vend të rrethuar nga shkëmbinj poshtë aksit nacional Koplik-Dedaj.

Koka e viktimës ka qenë e ndarë nga pjesa tjetër e trupit dhe është gjetur disa metër më tej. Sipas ekspertëve koka mund të jetë dëmtuar nga kafshët grabitqare, çka kanë vështirësuar punën e ekspertëve për identifikimin e kufomës.

Ndërkaq banorët vendas thanë se nuk ka pasur njoftim për banorë të zhdukur nga ky fshat gjatë tre viteve të fundit çka tregon se viktima është sjellë në këtë zonë i vdekur për të humbur gjurmët e krimit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)