Shkodër- Një trup i pajetë është gjetur ditën e djeshme (26 Janar) në zonën e Shalës në Shkodër.
Policia vendore e konfirmoi lajmin, duke bërë me dije se kufoma e një personi të seksit mashkull, të paidentifikuar ende u konstatua në vendin e quajtur “Lugina e Blinit”, në lumin e Shalës.
“Është gjetur një kufomë e seksit mashkull, në fazat e hershme të dekompozimit. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e kufomës, përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe sqarimin e rrethanave të rastit”, njoftoi policia pas hetimeve paraprake.
Aktualisht një grup hetimor dhe ekspertësh po verifikojnë rrethanat, kohën e vdekjes, shkaqet dhe për identitetin e viktimës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit për veprime të mëtejshme.
Po në të njëjtën zonë, më 22 Janar, palombarët pas ditësh kërkime policore dhe nga familja, kanë arritur të nxjerrin nga lumi i Shalës edhe trupin e pajetë të Edison Oruqit, baba i pesë fëmijëve, që rezultonte i zhdukur prej pesë ditësh nga momenti i gjetjes. Trupi i sotëm është i dyti i gjetur i pajetë në këtë zonë, në harkun e dhjetë ditëve.