SHKODER - Grabitjet me armë zjarri janë rikthyer në qendër të vëmendjes në qytetin e Shkodrës. Një ngjarje e rëndë është shënuar rreth orës 17:30, në afërsi të poliklinikës në qytetin e Shkodrës, ku një farmaciste është grabitur nën kërcënimin e armës.

Dy persona, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë i ditur, pasi po punohet për zbulimin e tyre, me kaskë motori në kokë, kanë tentuar të hyjnë në brendësi të farmacisë. Farmacistja ka tentuar të bllokojë hyrjen ambientet e saj por autorët kanë arritur të vjedhin një varëse floriri, vlera e së cilës kap shumën e 50 mijë lekëve të reja.

Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë mbërritur efektive të policisë së qarkut të Shkodrës, të cilët menjëherë kanë marrë të dhëna për ngjarjen e ndodhur nga dëshmitarë okulare, sipas të cilëve, kanë qenë dy persona me motor, të armatosur të cilët kanë grabitur farmacisten.

Burime pranë policisë së Shkodrës, bëjnë me dije se pikërisht në lidhje me ngjarjen në fjalë, është ngritur një grup hetimor për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje, ndërkohe blutë e Shkodrës kanë ngritur grupe kontrolli në të gjitha akset kryesore të qytetit të Shkodrës, ku dyshohet se mund të jenë larguar autoret e kësaj ngjarje.

(im/shqiptarja.com)