Shkodër, hidhet në erë ura e
Thethit dhe kanali i ujit në Shalë

Shkodër, hidhet në erë ura e<br />Thethit dhe kanali i ujit në Shalë
SHKODER - Dy shpërthime me tritol kanë ndodhur, brenda pak minutash në komunën Shalë të Dukagjinit gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Sipas policisë është hedhur në erë ura në hyrje të fshatit Theth, pjesë e segmentit rrugor Theth-Shkodër, pikërisht në vendin e quajtur Qafë Thorë, pika më e lartë që të çon në këtë fshat malore turistike.

Korrespondenti i A1 Report dhe Shqiptarja.com në Shkodër, Admir Agolli informon se nga shpërthimi është dëmtuar pjesë e konsiderueshme e urës dhe është e pamundur lëvizja e automjeteve në këtë urë.

Shpërthimi tjetër ndodhi në kanalin që shërben për dërgimin e ujit në Hidrocentral, në fshatin Nderlysaj. Eshtë dëmtuar rreth 1 meter ura mbajtëse e kanalit të ujit dhe aktualisht është jashtë funksioni ky Hidrocentral duke lënë pa energji Komunën Shalë, Shosh dhe Pult.  Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit dhe të dy shpërthimet kanë ndodhur brenda një harku kohor prej 10 minutash.   

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes. Burime nga Drejtoria e Rrugëve rurale bëjnë të ditur se ka nisur puna për riparimin e urës  për të rikthyer lëvizjen e automjeteve me drejtim zonën e Thethit.

Nga Drejtoria e Policisë Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punohet intensivisht për zbardhjen e këtyre dy ngjarjeve, identifikimin dhe kapjen e autorit-ve.

Policia informon se me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor  është marrë kontakt me organet përkatëse për riparimin e dëmeve të evidentuara, nga të cilat është premtuar riparimi i tyre në një hark kohor prej 6 orësh.

Kreu i këshillit të qarkut Shkodër Maxhid Cungu e cilësoi këtë ngjarje si një akt terrorist dhe i bën thirrje policisë që të zbardhet sa më shpejt. Cungu deklaron se nuk rrezikohet procesi zgjedhor pasi po merren masa urgjente per rikthimin e energjisë elektrike.

Disa orë më pas sipas policisë dëmtimet e shkaktuara nga shpërthimi në urën, në hyrje të fshatit Theth , tashmë janë riparuar dhe në këtë zonë ka filluar qarkullimi normal, pa probleme. Nga ana tjetër burime nga ky fshat turistike bëjnë të ditur se mbremjen e së shtunës do të pritet edhe një turist VIP sic është ambasadori I SHBA-së Aleksander Arvizu. Nuk është e qartë nëse Arvizu do të ndiqte si vëzhgues votimet në këtë zonë, por te pakten dihet se mengjesi i të dielës-ditës së votimit, do ta gjente pikërisht ne Theth.

NJOFTIMI I POLICISE
Sot me datë  22.06.2013, rreth orës 07.00, është marrë informacion se gjatë natës, ka pasur dy shpërthime, ku persona ende të paidentifikuar  kanë vendosur lëndë plasëse në një urë që shërben si kanal për dërgimin e ujit në Hidrocentralin në fshatin Nderlysaj, Komuna Shalë, si dhe është vendosur eksploziv në segmentin rrugor Theth-Shkodër, pikërisht në një urë  në hyrje të fshatit Theth.Menjëherë nga ana jonë janë marrë masat e duhura për dy rastet e lartpërmendura dhe në vendngjarje janë dërguar shërbimet policore dhe grupin hetimor, të cilët po kryejnë veprimet e duhura hetimore  e proceduriale. Paraprakisht mësohet se si pasojë e shpërthimit në Hidrocentralin e  fshatit Nderlysaj,  është dëmtuar rreth 1 meter ura mbajtëse e kanalit të ujit dhe aktualisht është jashtë funksioni ky Hidrocentral duke lënë pa energji Komunën Shalë, Shosh dhe Pult. Ndërsa nga shpërthimi në urën e fshatit Theth, është dëmtuar një pjesë e kësaj ure, duke penguar përkohësisht qarkullimin. Dëmtime në njerëz nuk ka.

Nga Drejtoria e Policisë Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punohet intensivisht për zbardhjen e këtyre dy ngjarjeve, identifikimin dhe kapjen e autorit-ve.

Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, nga ana jonë, është marrë kontakt me organet përkatëse për riparimin e dëmeve të evidentuara, nga të cilat është premtuar riparimi i tyre në një hark kohor prej 6 orësh.

Materialet proceduriale në lidhje me dy rastet në fjalë, do i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

‘Nuk ndaloja dot së qari’, Arbana Osmani publikon videon emocionuese kur mësoi se do bëhej me vajzë

‘Nuk ndaloja dot së qari’, Arbana Osmani publikon videon emocionuese kur mësoi se do bëhej me vajzë