SHKODER- Një 12-vjeçare vdes pasi teli i tensionit të lartë prej 6000 volt i bie në kokë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Kuç, komuna Gur i Zi. Pranvera Tatgjoni, 12 vjeçe nxënëse e klasës së gjashtë kishte dalë për të kullotur lopën dhe kur po kthehej mbrëmjen e djeshme në shtëpi, teli është këputur nga shtylla dhe i ka rënë në kokë.

Pranvera është djegur në qafë e trup. Familjarët e kanë gjetur të pajetë vajzën e mitur. Nga kontakti me rrymën  ngordhi dhe lopa që ajo kulloste.

Prindërit e vajzës që mbeti e vdekur aksidentalisht nga kontakti me telat e tensionit të lartë shprehen mes lotësh se linja e tensionit të lartë ka qenë gjithnjë një fakt sheqetësues për ta.
 
“Telat ishin të lakuar prej kohësh, ne kemi sinjalizuar edhe strukturat vendore edhe KESH-in, por askush nuk na e ka vënë veshin, deri kur na ndodhi fatkeqësia”. 

Pranvera Tatgjoni, përcillet sot në banesën e fundit, ndërsa telat e tensionit të lartë që (shihni në foto poshtë) vazhdojnë të jenë një kërcënim i gjallë për gjithë fshatrat e Mbishkodrës, ku kalon linja e tensionit të lartë me shtylla e tela të amortizuar.

pranvera tatgjoni
(Foto Shqiptarja.com: 12-vjeçarja Pranvera Tatgjoni që humbi jetën; në rreth të kuq teli i energjisë i këputur)


 teli i tensionit
(Foto Shqiptarja.com: Djathtas shtylla e tensionit që u këput kablli i energjisë; majtas me rreth të kuq teli i këputur në Tokë)
 LËZHË, VDES ELEKTRICISTI
Kurse në Lezhë një elektriçist 65-vjeçar ndërroi jetë gjatë punës, pasi në kabinën ku punonte për riparimin e defektit u rikthye energjia elektrike.  Ndërkohë që një tjetër ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen e një elektriçisti 65-vjeçar ka ndodhur në komunën Zejmen të Lezhës. Pashk Tanushi po riparonte një defekt në kabinën elektrike, kur gjatë momentit të punës u rikthye energjia. Elektriçisti 65-vjeçar humbi jetën menjëherë.

Redaksia online 
(rd/v.gj/shqiptarja.com)