SHKODËR, 17 Shtator/ATSH-Gaspër Marku/- Me ftesë të kryetarit të komunës Bushat, Zef Hila, një përfaqësi e COSPE, me në krye shefin e kësaj organizate, Gianni Gravina, ishte e pranishëm sot në këtë komunë, duke zhvilluar një takim me administraten e saj si dhe ndërkomunalen "Zadrima". Gjatë kësaj vizite, Gravina i cili është edhe përfaqësuesi i ri i COSPE, është njohur me investimet dhe projektet që kjo organizate ka ndërmarrë në rajonin e Bushatit, por edhe në komunat e tjera përreth.Kryekomunari Hila tha se "duke qënë se kjo është një zonë dhe hapësirë jashtëzakonisht e gjërë dhe që ka nevojë për një menaxhim në hartimin dhe implementimin e projekteve të tjera, jo vetem në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, siç është realizuar deri më tani, hapësirat publike që nuk janë të vëna akoma në efiçence, do të ishte mirë që të jenë pjesë e projekteve të së ardhmes për t'i shërbyer këtij komuniteti". Ai tha se COSPE është e pranishme në Shqipëri dhe veçanërisht në veri të vendit tonë, që nga viti 1998, ku nderhyrja e parë ka qënë me mikrokredi në komunat Bushat, Blinisht, Dajç, financuar nga Departamenti i Punëve të Jashtme Italiane.Përfaqësuesi i COSPE, Gianni Gravina, ka ofruar një bashkëpunim akoma edhe më gjërë gjatë periudhës në vazhdim. "Ne do të vazhdojmë të favorizojmë bashkëveprimin tuaj mes eksperiencave e kompetencave të territorit italian dhe territorit të Zadrimës", theksoi ai. /a.ke/