Në Bazilikën kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë u mbajt mesha solemne, drejtuar nga kardinali i Bazilikës Papnore “Santa Maria Maggiore”.

Morën pjesë qindra besimtarë nga i gjithë vendi, mes tyre pelegrinët që udhëtuan në këmbë nga Dioqeza e Rrëshenit drejt Shkodrës.

Mesazhe shprese dhe reflektimi përcollën Arqipeshkvi i Shkodrës, Giovanni Peragine dhe kardinali i Bazilikës Papnore “Santa Maria Maggiore, Rolandas Makrickas, të cilët theksuan rëndësinë shpirtërore të kësaj dite dhe figurës së Zojës së Këshillit të Mirë.

“Kjo Bazilikë nuk është vetëm një vend devotshmërie, por është kujtesë e gjallë e fesë së popullit tonë. Në këtë vend jehon lutja e brezave, ruhen vuajtjet dhe shpresat dhe ripërtërihet besimi edhe në kohët më të vështira. Sot, në këtë kremtim solemn, hapim edhe vitin Jubilar Marian, në Kujtim të 130-vjetorit të shpalles së Zojës së Këshillit të Mirë si Pajtorja e Shqipërisë”, tha arqipeshkvi Peragine.

Më 26 prill, kalendari kishtar përkujton festën e Zojës së Këshillit të Mirë. Sipas legjendës, Zoja u largua në vitin 1467 për t’u shpëtuar turqve dhe u vendos në Genazzano të Italisë, ku nderohet edhe sot si një nga shenjtëroret më të rëndësishme. Kjo figurë është e lidhur ngushtë me historinë e vështirë të katolicizmit në trojet shqiptare pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Gjatë shekujve të pushtimit, katolikët e ruajtën besimin në kushte të vështira, duke e mbajtur gjallë devocionin ndaj Zojës.