Në qytetin e Shkodrës, u nënshkrua sot  Memorandumi i Mirëkuptimit për restaurimin, muzealizimin dhe vendosjen e një qasjeje të re administrimi të Fototekës Kombëtare "Marubi" mes  Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë  Shkodrës.
Memorandumi i nënshkruhar  nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Kryetari i Bordit të AADF-së  Michael Granoff , Benet Beci, Drejtor i Fondit Shqiptar të zhvillimit dhe Lorenc Luka, Kryetar i Bashkisë së Shkodrës i hap rrugën fillimit të punimeve po këtë muaj.
"Memorandumi i bashkëpunimit" sqaron Ministria e Kulturës,  "garanton restaurimin dhe muzealizimin e Fototekës 'Marubi' përmes një programi zhvillimi i cili përfshin rinovimet fizike, zgjerimin e shërbimeve për vizitorët, ndërtimin e kapacitetit teknik, si dhe krijimin e një qasje të një administrimi të ri i cili të jetë i vetë-financueshëm".
Ministra e Kulturës Mirela Kumbaro, Michael Granoff , Benet Beci dhe Lorenc Luka gjatë nënshkrimit të memorandumit
Lidhur me këtë memorandum, Qeveria Shqiptare ka vënë në dispozicion një fond prej 55 milionë lekësh, komuniteti evropian së bashku me Fondin Shqiptar të Zhvillimit rreth 470 mijë euro, dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan plot 650 mijë dollarë.
Fototeka Kombëtare Marubi është një arkivë kombëtare me fotografi dhe stenda, që konsiderohet si një nga institucionet turistike me vlerat më të larta kombëtare, kulturore dhe historike në Shqipëri.
Fototeka Marubi u themelua në 1970 dhe përmban foto që datojnë që prej 1858, duke përfshirë edhe fotografinë e parë të realizuar në Shqipëri. Numri i plotë i negativëve të qelqit dhe filmave të ruajtur në këtë muze është rreth 500.000.
/atsh/