Tiranë, 9 Shkurt / ATSH - Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër ka organizuar së fundmi disa aktivitete me nxënës të shkollave 9- vjeçare dhe të mesme të qytetit të Shkodrës dhe disa inspektime gjatë monumenteve kulturore.
Specialistët e DRKK-së kanë zhvilluar disa orë informuese lidhur me trashëgiminë kulturore me nxënësit e shkollës 9- vjeçare "Ndre Mejda" dhe me nxënësit e vitit të 4-t te shkollës së mesme "Jordan Misja".
Sakaq, specialistët e DRKK-së Shkodër kanë kryer edhe një inspektim në kalanë e Shkodrës.
Së bashku me specialistët e sektorit antiko- mesjetar në IMK Tiranë, ata kanë parë mundësinë e restaurimit dhe ringritjes së murit në cepin lindor të kalasë së Shkodrës.
Specialistët vëzhguan nga afër edhe restaurimin në hyrje të Kalasë së Shkodrës, Tyrbja e Mujo Babës, ndërtesë e shek XVI.
DRKK Shkodër bën me dije se u ndërhy në konsolidimin dhe riparimin e dy pjesëve të mureve të cilat kishin pësuar krisje në strukturën e tyre, humbje të materialit konstruktiv, duke rrezikuar qëndrueshmërine e komplet strukturës.
Ky proçes u realizua me gurët e rënë kohë më parë nga ky objekt dhe riparimi u bë me material (rërë dhe gëlqere) duke mos futur asnjë element te ri.
/k.m//a.ke/









