SHKODËR - Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme (27 shkurt) në fshatin Guci e Re në rrethinat e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur sa kalon shkollën e Gucisë së Re, rreth orës 14:50. 

Mësohet se i vdekur ka mbetur 20-vjeçari Pavlin Preka, që sipas policisë dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje. Ende nuk dihen rrethanat dhe kush janë autori/ët.

Sakaq ka folur për mediat xhaxhai i viktimës, Prek Preka i cili ka deklaruar se familja nuk kishte hasmëri me askënd, ndërsa djali shkonte e vinte shpesh në Dukagjin.

Siç bën me dije gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja, ka qenë pikërisht xhaxhai ai që e zbuloi i pari vrasjen e nipit të tij. Pasi po i binte telefonit dhe nipi nuk i është përgjigjur, Prek Preka shkoi në banesën e tij për të parë dhe e ka gjetur Pavlinin të vrarë në oborrin e shtëpisë.

Më pas xhaxhai njoftoi policinë, e cila erdhi menjëherë në vendin e ngjarjes. Grupi hetimor ende nuk ka një pistë hetimi, pasi motivet e ngjarjes janë të paqarta. Do pyeten familjarë por dhe të afërm të viktimës për të mësuar më shumë rreth kësaj ngjarjeje të rëndë. 

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 14:50, në fshatin “Guci e Re”, është gjetur pa shenja jete shtetasi Paulin Preka, rreth 20 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri.   

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Ndërkohë ëdhtë ngritur një Grup i posaçëm  hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:54
Shkodër/ Vrasja e 20-vjeçarit në Guci e Re, flet xhaxhai i viktimës: Familja nuk kishte hasmëri! Djali shkonte dhe vinte në Dukagjin

20-vjeçari Pavlin Preka mbeti i vrarë mesditën e sotme në fshatin Guci e Re pranë Shkodrës. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes dhe autori i vrasjes.

Sakaq, ka folur për gazetarët xhaxhai i viktimës, i cili u shpreh se viktima nuk ka pasur asnjë problem me askënd dhe se ishin një familje e thjeshtë. Familja nuk kishte hasmëri, deklaroi Prek Preka.

'Asnjë problem nuk ka pasur, ai ka jetuar me babën dhe me vëllain e vet në Dukagjin. Ky jeton ka 15 vjet, që ka bërë shtëpinë. Që në atë kohë ka jetuar herë në Dukagjin, herë këtu. Në Dukagjin ka do bagëti, punon pak tokë aty, ka do bagëti. Me probleme si tanë të tjerët, me halle. Nuk ka nevojë të bëjë apel, shteti ka marrë masat e veta.'