Shkodër- Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar nga afër punimet që po kryhen në qendër të qytetit, për rikonstruksionin e kolektorit, i cili rezultonte prej vitesh i dalë jashtë funksionit dhe i palidhur me pjesën tjetër. 

Kryebashkiaku Benet Beci është njohur me ecurinë e deritanishme të punimeve nga inxhinierët e Bashkisë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve.

Në intervistën e dhënë për mediat, kryetari i Bashkisë Benet Beci u ndal edhe tek domosdoshmëria e kësaj ndërhyrjeje, e cila zgjidh përmbytjen që shkaktohej në qendër të qytetit dhe pranë pedonales “Kolë Idromeno”.

Gjithashtu, pas përfundimit të ndërhyrjes nëntokësore, i gjithë sheshi do të riasfaltohet.

Problematika e kolektorëve në qytetin e Shkodrës po nxjerr në pah çdo ditë, problemet e mbartura, por edhe mungesën e ndërhyrjeve në këto pika të rëndësishme për kullimin dhe largimin e ujërave të shiut nga rrugët e Shkodrës. 

Bashkia Shkodër, pas kolektorit të Draçinit ka ndërhyrë edhe në dy zona të tjera të qytetit, për sistemimin e tyre, duke zgjidhur një nga problemet disavjeçare të Shkodrës, atë të përmbytjes së rrugëve sa herë kishte reshje intensive shiu.