SHKODER - Babë e bir janë qëlluar me pistoletë teksa udhëtonin me makinë pranë spitalit rajonal të Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të ditës së sotme, teksa dy persona me motor i kanë zënë pritë duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të Frederik Markut 46 vjeç dhe plagosjen rëndë të djalit të tij, Jurgen Brunga, 22 vjeç (djali kishte ndryshuar mbiemër), banues në Theth, Dukagjin.

Sipas informacioneve nga vendngjarja nga korrespondeti i Shqiptarja.com dhe A1 Report Elvis Nabolli, viktimat sapo kishin denoncuar në polici rreth një konflikti të ndodhur ditën e djeshme me disa persona në zonën e Thethit, ku po pushonin të dyja palët (ndë. Burime nga policia thonë se është bërë identifikimi i dy autorëve, por për arsye sigurie nuk bëhen publik emrat e tyre.

Në lidhje me gjendjen shëndetësore të djalit të viktimës, bluzat e bardha në spitalin e Shkodrës njoftojnë se plagosja ka qenë e rëndë dhe se 22 vjeçari ka dhënë shenja jete në reanimacion.

Ndërkaq, mbi viktimën Marku mësohet se ka qenë me precedentë të mëparshëm penale, ndër to edhe për armëmbajtje pa leje.

Babë e bir ndodheshin në makinën tip Fuoristradë me targa Tr 3413 T, teksa janë qëlluar nga dy persona me motor, të cilit ishin vënë në ndjekje të viktimave.

Autorët janë larguar nga vendngjarja, ndërsa policia është vënë në kërkim të tyre dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e detajeve të ngjarjes.

(Gre.M/Shqiptarja.com)