SHKODËR - Një 30 vjeçar është shoqëruar nga policia në Shkodër mbrëmjen e sotme. Fillimisht policia mori njoftim për një rast dhune në familje në lagjen Guerrile.

Më pas kur punonjësit e policisë shkuan në banesën e Petrit Isaj, ky i fundit ka kundërshtuar efektivët duke goditur me thikë në dorë dhe në fytyrë njërin prej tyre, K.Ç.

30 vjeçari Petrit Isaj, rezulton si person me precedent kriminal.

Ai u shoqërua fillimisht për në urgjencë, me ndihmën edhe të një patrulle tjetër të përgjithshme, ku iu injektua një qetësues, e më pas u soll në komisariat. Petrit Isaj ka qenë dhe më parë në prangat e policisë, teksa në vitin 2019 ka qëlluar me breshëri automatiku pranë banesës duke terrorizuar banorët. Gjithashtu ai njihet edhe si përdorues i lëndëve narkotike. 

'Rreth orës 20:15,  Patrulla e Përgjithshme ka shkuar  në lagjen “Guerile”, pasi ka marrë njoftim për një rast dhune në familje.

Në momentin që punonjësit e Policisë  kanë shkuar te banesa e shtetasit P. I, 30 vjeç, (person me precedent kriminal), ky shtetas  ka kundërshtuar me dhunë  punonjësit e Policisë   dhe  ka dëmtuar lehtë  me mjet prerës (thikë), në dorë dhe fytyrë një nga  punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, Inspektor K. Ç.

Në mbështetje të Patrullës së Përgjithshme ka shkuar dhe një tjetër Patrullë e Përgjithshme duke neutralizuar shtetasin P. I, i cili u shoqërua në spital nga ekipi i urgjencës së spitalit i shoqëruar nga Patrulla e Përgjithshme.

Pas kryerjes së injeksionit qetësues 30-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme.', njofton policia