Ky i fundit në bashkëpunim dhe me një shtetas nga Mali i Zi,kishin ngritur në prapavijë dhe një industri të plotë falsifikimi, duke filluar nga falsifikimet me numrat e shashisë për mjetet luksoze të vjedhura, dokumentat e tyre e shumë, veprime të ndryshme. E gjithë procedura kryhej në servise të ndryshëm, kuptohet kundrejt një pagese financiare, ku numrat e shasive të makinave të ligjshme dhe të përdorura në vendet e Bashkimit Europian, injektoheshin duke u vendosur në numrat e shasive të makinave të vjedhura.
Më pas Bujar Hysa, tashmë i arrestuar dhe me 15 persona të tjerë, arrinte t’i fuste këto automjete nga pika e kalimit kufitar Hani i Hotit, duke përdorur si ndihmë disa punonjës të policisë pranë kësaj pike doganore. Më tej pasi makinat hynin në Shqipëri procedura shkonin zinxhir, duke filluar nga zhdoganimi i mjeteve, rregjistrimi i tyre në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor, e deri tek veprimet e Hysës me persona të tjerë, duke nënshkruar kontrata shitje noteriale, mbi bazën e dokumentave që kishte falsifikuar.
Operacioni “Lux” 11 të pranga 22 makina të sekuestruara
Prokuroria e Shkodrës ishte vënë në dijeni për veprimtarinë e këtij grupi, falë një informacioni të mbërritur nga zyra e Interpolit. Ky informacion është analizuar nga prokurori Anton Martini, i cili në bashkëpunim dhe me oficerë të policisë Shkodër, kanë nisur hetimet para disa muaj, duke bërë që dy ditë më parë të finalizojnë operacionin e koduar “Lux”, duke vënë në pranga 11 persona dhe shpallur në kërkim një shtetas malazes, i cili ishte drejtuesi tjetër i këtij grupi kriminal në Malin e Zi që trafikonte automjete.
Mësohet se në kërkim janë dhe katër persona të tjerë shqiptar, duke e çuar në 16 numrin e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ndërkohë në total janë sekuestruar 22 automjete luksose të tipave dhe modeleve të fundit si “Range Rover,Audi A6, BMË X5 -X6, Wolksvagen. Të gjitha këto automjete kanë hyrë nga pika e kalimit kufitar “Hani i Hotit” dhe janë shitur nga shtetasi Bujar Hasa tek persona të tjerë.
Punonjësit e policisë
Në një dalje publike para mediave prokurori Anton Martini bëri me dije se hetimet vijojnë dhe do të shtrihen deri edhe tek punonjësit e pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit, si dhe atyre të drejtorive të shfrytëzimit të automjeteve, që i kanë pajisur me dokumenta. Pista e hetimit do të shtrihet madje deri edhe në shtetet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian ku ky grup ka operuar. Automjetet e sekuestruara mësohet se në treg ishin shitur edhe në disa duar radhazi, ku vlera e tyre e shitjes sipas hetimeve në shumë raste ishte qesharake dhe larg vlerës reale të tregut. Tashmë të gjitha këto makina ndodhen të sekuestruara në drejtorinë e policisë qarku Shkodër dhe skema e hetimeve do të vijojë për të mësuar edhe bashkëpunëtorët e tjerë.
Nga Krimet e Rënda në Shkodër Anton Martini, prokurori i “hekurt” që si ndahet bandave
Prokurori Anton Martini ka vetëm 3 muaj që është transferuar në Shkodër si prokuror i thjeshtë. Martini ka shërbyer prej shumë vitesh, pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke hetuar një sërë grupesh kriminale dhe persona me mbështeje politike dhe kriminale. Prokurori i “hekurt” siç e quan media, njihet për këmbënguljen e tij në procesin e hetimit dhe gjykimit gjatë administrimit të provave dhe analizimit të tyre. Martini, ka përballuar dosje të rëndësishme si “Banda e Durrësit”, “banda e Lushnjës”, “banda e Niklës”, “Banda e Cërrikut”,bandën e Lazaratit,grupin e Gëzim Çelës,grupin “Hijet e Natës” që grabisnin Kasaforta dhe ambasadës Daneze, biznesmenin Arben Frroku etj.
Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)