Policia e Shkodrës ka goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike dhe të armëmbajtjes pa leje.
Në prangat e bluve ka rënë Zef Marashi, dhe 2 nipat e tij. Njëri është indentifikuar si Mateo Marashi, 18-vjeç dhe tjetri 17-vjeç. Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet edhe një 20-vjeçar.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 17-vjeçarit që u kap duke lëvizur me motomjet, pa leje drejtimi, dhe ndaj pasagjerit (vëllait), shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde kanabis të ndarë në dhjetëra doza gati për shitje.
Ndërkohë në banesën ku qëndronin të rinjtë dhe xhaxahi i tyre blutë gjetën kanabis, të ndarë në 280 doza, me qese farmaceutike, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 4 celularë.
Njoftim i policisë
Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në të dhënat e siguruara në rrugë operative, specialistët për Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” finalizuan operacionin e koduar “Delivery”, si rezultat i të cilit u goditën një rast i shitjes së lëndëve narkotike dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë 2 shtetas të cilët po qarkullonin me motomjet, me qëllim shitjen e dozave të kanabisit.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 17-vjeçarit që drejtonte motomjetin, pa leje drejtimi, dhe ndaj pasagjerit, shtetasit M. M., shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis të ndarë në dhjetëra doza gati për shitje.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. M., ku qëndronin dhe shtetasit P. M. (vëllai i tij) dhe Z. M. (xhaxhai i tyre), shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në rreth 280 doza, me qese farmaceutike, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 4 celularë.
Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. M., 18 vjeç, Z. M., 36 vjeç dhe shtetasi i mitur 17 vjeç;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 20 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Komente










