Simon Zereci është emëruar drejtor i përgjithshëm i Gardës së Republikës, duke mbajtur gradën Drejtues Madhor. Pas largimit të Ermal Onuzit në qershor të vitit 2025, Zereci u komandua në krye të Gardës, më pas Sami Kuti dhe sërish Zereci. Lajmi është bërë i ditur këtë të martë në një njoftim zyrtar për mediat.

"Në zbatim të nenit 17 të ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Z. Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës dhe mban gradën Drejtues Madhor", thuhet në njoftim.

Kush është Simon Zereci

Zereci e ka nisur karrierën ushtarake në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje e të tjerë. Ai ka kryer studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.

Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku shërbeu në një sërë funksionesh, si: Komandant Toge; Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komanant Toge në Kompaninë Operative; Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative;  Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik; Oficer shoqërues pranë Zyrës për Mbrojtjen e Personaliteteve; Shoqërues në grupin mbështetës në Degën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komandant Grupi në Njësinë Speciale; e të tjerë.

Që nga viti 2013 e në vijim, ka mbajtur funksionin e Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës. Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.

Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.

Në vitin 2020 mori gradën Kolonel, e cila me sistemin e ri të gradave u konvertua në Drejtues i Parë.  Me urdhër të Ministrit të Brendshëm, u emërua Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës dhe iu dha grada Drejtues i Lartë.

Lajm në përditësim…