SHKODER- Report tv mëson se mes 10 personave të arrestuar në Ganjollë të Shkodrës, 3 ditë më parë, është pronari i tokës ku është ndërtuar magazina, Anton Toli, 30 vjeç nga Lezha. Magazina ishte vetëm për kamuflim, pasi brenda saj u gjet një hyrje e nëndheshme që të çonte në laboratorin e kultivimit te kanabisit.

Ndërtuar në formë labirinti, laboratori ishte ndarë në dy pjesë. Në njërën anë rriteshin bimët narkotike me llampa elektrike të fuqishme e në anën tjeter behej tharja e paketimi për shitje. Policia zbuloi 2 513 bimë dhe 171 kg kanabis i tharë.

Përpos pronarit të magazinës, në pranga ranë punëtorët: Ervin Toli nga Lezha, Fatmir Luka nga Lezha, Migena Persi dhe Dorjana Kovaçi nga Gjirokastra, Agim dhe Endrit Kovaçi nga Cërriku, Arben Guri nga Tirana dhe Artur Dule nga Cërriku. Mes të arrestuarve dhe Artur Lika nga Poliçani, i cili ishte më herët në kërkim për kultivim droge.

Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar nga gjykata masat arrest me burg. Ata do të përballen me akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, ndërsa pronari i magazinës ka edhe akuzën “Pastrim i produkteve të vepres penale”.

Sakaq në kerkim është shpallur Lazër Leiti, 35 vjeç, banues në Shkodër.

Në gjendje të lirë po hetohen për shpërdorim detyre 5 punonjës të OSHEE-së në Shkodër, pasi ka dyshime se kanë mundësuar lidhjen e paligjshme të energjisë për kultivimin e kanabisit në laboratorin e nëndheshëm.

NJOFTIMI I PLOTE I PROKURORISE

Prokuroria Shkodër, arrestohen në flagrancë 10 shtetas për kultivimin e bimëve narkotike, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve dhe vjedhjen e energjisë elektrike

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër bën me dije se, në kuadër të një operacioni të shërbimeve të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, është zbuluar një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, në fshatin Ganjollë, Njësia Administrative Guri i Zi, Bashkia Shkodër.

Në vijim të veprimeve hetimore, është kryer arrestimi në flagrancë i 10 shtetasve, me inicialet A.T., E.T., A.L., A.G., A.K., E.K., R.D., F.L., D.K. dhe M.P.

Në kuadër të hetimeve, më datë 23.11.2026, rreth orës 10:10, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë në një sipërfaqe toke të rrethuar me avlli, ku ndodhej një objekt i ndërtuar me llamarina. Në pjesën nëntokësore të tij është konstatuar një tunel që të çonte në disa ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të energjisë elektrike dhe ndriçimit artificial.

Gjatë kontrollit janë konstatuar 2.513 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, nga të cilat 2.498 janë asgjësuar me anë të djegies, ndërsa 15 janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 171.425 kg lëndë bimore e thatë, në formë boçeje, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa. Në ambientet e përshtatura janë sekuestruar edhe pajisje të ndryshme elektrike dhe ventilimi, të përdorura për kultivimin e bimëve narkotike.

Nga veprimet hetimore paraprake ka rezultuar se toka ku u konstatua aktiviteti dhe kontrata e furnizimit me energji elektrike janë në emër të shtetasit A.T. Për provat materiale të sekuestruara janë caktuar ekspertime kimike, biologjike dhe daktiloskopike, të cilat do të kryhen në Institutin e Policisë Shkencore, Tiranë.

Shtetasit A.T., E.T., A.L., A.G., A.K., E.K., R.D., F.L., D.K. dhe M.P. dyshohen për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të parashikuara nga nenet 284/2/3, 283/2/3 dhe 137/2 të Kodit Penal.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e rolit të secilit prej personave të arrestuar dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.