Tre mijë subjekte janë gjobitur në Shkodër në një periudhë prej afro 1 viti e gjysëm nga drejtoria rajonale e tatimeve. Gjobat për bizneset e mëdha, të vogla por edhe entet shtetërore kanë nisur të vendosen që para një jave e deri tani kryesisht për shkelje të ligjit në mos deklarimin e të punësuarve për herë të parë, administratorëve apo personave të larguar nga puna si dhe të punësuarve të tjerë. Gjoba është 10 mijë lekë për një deklaratë ndërsa një biznes mund të ketë bërë deri në 50 deklarata thotë drejtori i vlerësimit në drejtorinë rajonale të tatimeve Adnan Bajrami.
 
“Gjatë javës së fundit në sistemin informativ të tatimeve janë gjeneruar gjoba për deklarim me vonesë të deklaratës të punësuarve për herë të parë dhe atyre rishtazi. Ka filluar që me deklaratat e bëra nga bizneset janari i 2015 deri në 5 muajt e parë të këtij viti. Janë rreth 3 mijë gjoba në total dhe nuk është vetëm biznesi i madhe dhe i vogël por ka edhe ente shtetërore ku pjesa më e madhe janë dënuar me gjoba me vlerë relativisht të madhe sepse kanë bërë shumë deklarime. Një gjobë është 10 mijë lekë për çdo deklaratë. Ka raste që një biznes apo ent shtetëror ka bërë deri në 50 deklarata gabim kështu që shumëzohet sa herë është bërë gabim me 10 mijë lekë dhe del shuma për secilin subjekt të gjobitur”.
 
Drejtori Bajrami tregon se përse janë gjobitur subjektet konkretisht.
 
“Janë kategoritë e të punësuarve për herë të parë siç janë të vetëpunësuarit dhe administratorët dhe kategoria e të punësuarve të tjerë. Në qoftëse për kategorinë e dytë subjektet kanë shkelur ligjin duke mos e deklaruar të larguarin nga puna brenda 10 ditëve apo të punësuarin 24 orë përpara se të punësohet, për këtë marrin 10 mijë lekë gjobë për çdo deklaratë të bërë me vonesë. Përsa i përket kategorisë tjetër për të vetëpunësuarit apo administratorët që janë kryesisht bizneset e vogla kanë qenë të detyruar që brenda dy ditëve nga momenti që marrin në QKR niptin e tyre është dashur të bëjnë deklarimin”.
 
Pavarësisht këtyre gjobave, drejtori Bajrami shprehet se subjektet kanë një mundësi të apelojnë dhe t’i shfuqizojnë ato gjoba në rast se argumentojnë se nuk kanë patur mundësi që të bëjnë njoftimet sipas ligjit në kohën e duhur për arsye të ndryshme objektive.
 
“Paralajmërime nuk ka patur sepse subjekte hapen çdo ditë dhe subjekti mundet të paraqitet pranë shërbimit në drejtorinë rajonale të tatimeve dhe të interesohen. Subjektet e gjobitura mund të paraqiten tek drejtoria e tatimeve të paisen me vlerësimin e bërë dhe ne jemi të predispozuar për t’ia dhënë brenda ditës, mundë të apelojnë brenda 3 ditëve pasi marrin këtë njoftim për vlerësimin me firmë e vulën tonë. Subjektet kanë të drejtë t’i apelojnë këto gjoba dhe kanë mundësi real që t’i fitojnë nëse argumentojnë pamundësinë e tyre për të bërë brenda dy ditëve deklarimin”. 
 


Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com