SHKODER - Policia ndërhyn në kohë dhe parandalon përshkallëzimin e një konflikti, ku një shtetas ka përdorur një armë gjahu me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjeti, duke tentuar të vrasë një person.

 

 

 

 

 

Sipas policisë, në fshatin Bushat të Vaut të Dejës, ka ndodhur një konflikt mes dy shtetasve, ku më pas njëri nga personat e përfshirë, ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të automjetit me të cilin po largohej shtetasi tjetër. 

 

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku falë veprimeve të shpejta operacionale, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i Zefjan Çunit, 40 vjeç, banues në fshatin Bushat.

40-vjeçarit iu gjet e iu sekuestrua arma e gjahut e përdorur. I lartpërmenduri, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Z. Ll. 40 vjeç, por pa shkaktuar pasoja. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com