SHKODËR – Dy të rinj janë arrestuar ditën e sotme pasi u kapën në flagrancë në Shirokë, me doza kokaine të cilat pretendohet se ishin për shitje.
Dy të rinjtë Xhordan Cafi, 22 vjeç dhe Franc Mark, 22 vjeç, po udhëtonin me makinë kur u ndaluan për një kontroll nga patrulla e policisë.
Nga kontrolli fizik dhe ai i makinës, blutë kanë gjetur doza lënde narkotike kokainë dhe 1 peshore elektronike.
Për më tepër, gjatë kontrollit të banesës së 22-vjeçarit të identifikuar me inicialet Xh.C., policia kanë gjetur një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me sasinë e kokainës, peshoren elektronike dhe automjetin me të cilin u kapën në flagrancë 2 të arrestuarit.
Arrestimi i dy të rinjve u bë në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”.
“Në vijim të punës operacionale me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, për të cilin u arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. C., 22 vjeç dhe F. M., 22 vjeç.
Në Shirokë, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Xh. C. dhe pasagjer shtetasin F. M.
Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj këtyre 2 shtetasve, janë gjetur doza lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 1 peshore elektronike për ndarjen e kokainës në doza.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xh. C., shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me sasinë e kokainës, peshoren elektronike dhe automjetin me të cilin u kapën në flagrancë 2 të arrestuarit”,- njofton policia.