SHKODËR - Vdes biznesmeni Besnik Fangaj, që u qëllua me 4 plumba teksa po futej në banesë, në lagjen Zdrale të Shkodrës në datë 19 prill 2013. Pas disa ditëve në spital, në gjendje të rëndë, ai s'u ka mbijetuar plagëve të marra.
 
Besnik Fangaj, 45- vjeç ka qënë duke u futur në banesë në orët e para të mëngjesit të 19 prillit  kur është qëlluar disa herë me pistoletë nga një person brenda një automjeti i cili është larguar me shpejtësi pas kryerjes së krimit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 kur bizenesmeni ka qenë duke u kthyer në shtëpi dhe pasi kishte parkuar makinën një automjet i është afruar, është ndaluar në mes të rrugës ndërsa ai ka qenë duke ecur për të hyrë në apartament, kur nga automjeti i ndaluar ka dalë një person dhe ka qëlluar me pistoletë TT në drejtim të tij.

Për pasojë biznesmeni është plagosur rëndë me 4 plumba, ndërsa autori i krimit, i cili ka qenë i ndihmuar edhe nga një tjetër person që drejtonte automjetin është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

45 VJECARI U QELLUA ME 4 PLUMBA
Biznesmenit të plagosur i kanë ardhur në ndihmë rojet private që gjendeshin aty pranë dhe e kanë dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës ku menjëherë i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas është dërguar në reanimacion.

Sipas bluzave të bardha gjendja e të plagosurit ishte mjaft e rëndë pasi 4 plumbat e marrë i kishin prekur disa organe në trup. Ditën e atentatit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie të cilat kanë mbledhur provat e krimit. Nga këqyrja e vendit janë konstatuar 6 gëzhoja pistolete TT, të cilat i përkasin armës së autorit të krimit.

MERREN NE PYETJE DESHMITARE
Gjithashtu blutë kanë marrë në pyetje edhe rojën e objektit ku banonte biznesmeni për ta pyetur nëse ka parë atentatorin apo ndonjë lëvizje të dyshimtë gjatë kësaj ore përpara blloqeve të pallateve ku ndodhi ngjarja. Nga ana tjetër efektivët e policisë pritet të marrin edhe filmimet e kamerave të sigurisë të disa objekteve që gjenden pranë vendit të ngjarjes, për të identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ende nuk dihen shkaqet e vërteta të ngjarjes, por pista kryesore ku po hetohet është një konflikt i mundshëm pronësie, pikërisht aty ku biznesmeni mund të ketë ndërtuar pallatet e tij.

KUSH ESHTE BESNIK FANGAJ
45 vjecari është nga fshati Bardhaj, komuna Rrethina. Prej 5 vitesh ushtronte aktivitetin e tij si biznesmen ndërtimesh në lagjen Zdrale, Rus dhe pranë teatrit Migjeni. Ai ishte i martuar dhe njihej si person pa precedentë.

Redaksia Online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)