SHKODER- Ndryshe nga herët e tjera kur takimi përmbyllës i fushatës elektorale është zhvilluar në Tiranë, Partia Socialiste ka zgjedhur që kësaj here ky miting të zhvillohet njëkohësisht në dy qytete. Vlora dhe Shkodra janë dy qytetet që përmbyllin këtë herë fushatën elektorale të Socialistëve, si dy qytete të rëndësishme.
 
Fillimisht kreu i PS ka mbajtur fjalën e tij në qytetin e Shkodrës, ndërsa është nisur menjëherë në drejtim të Vlorës me helikopter. Ky takim është shijuar në mënyrë direkte nëpërmjet monitorëve nga mijëra qytetarë të mbledhur në sheshin e “Flamurit” në Vlorë janë mbledhur mijëra njerëz duke shijuar nëpërmjet monitorëve spektaklin që ka filluar tashmë në Shkodër.
 
Në fjalën e tij në mitingun e qytetit të Shkodrës, kryesocialisti Rama është shprehur se ka vendosur që të zhvillojë mitingjet njëkohësisht në të dy këto qytete pasi në ty ka nga një pjesë të rrënjëve të tij.

Rama është shprehur se ndihet me fat, që ka privilegjin të udhëheqë Rilindjen përballë rrënimit, por edhe sepse kjo fushatë përmbyllet në dy qytete të rëndësishme të vendit. "Këtu në Shkodër lindi gjyshja, që i dha fëmijërisë time aromën e librave të shenjtë", tregoi Rama, duke shtuar se "në Vlorë lindi nëna ime, që më mësoi se nderi dhe dija janë më të mira se batakçillëku".

Rama ka rrëfyer se në Shkodër përjetoi rilindjen e fesë, ndërsa në Vlorë pa shpirtin rebel. "Në Shkodër përjetova fare i ri rilindjen e fesë, ku u dha mesha e parë mes të vdekurve të vrarë nga regjimi rebel, ndërsa në Vlorë unë pashë shpirtin rebel të këtij populli, që ngriti krye ndaj regjimit të ri të Tiranës, që u premtoi parajsën, por i përvëloi në ferrin e piramidave".

Rama tha se "era e Rilindjes i ka bërë një të gjithë qytetarët nga veriu në Jug për gjithë Shqipërinë. Ky është manifestimi i dy vatrave të mëdha të shqiptarisë. Këto i japin qytetarëve fuqinë e një bashkimi të ri për një Shqipëri të re”.

Fjalën e tij kreu i PS, Rama e nisi me një frazë të Gjergj Fishtës “Për me sundue nji shtet, nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakcillëku, rrena, tradhtia; duhet nder, dije, urti, burni: që se shka duhet".

Më tej, kreu i PS ka kujtuar vargjet e Nolit: "Motra e vëllezër që nga Shkodra deri në Vlorë", duke shtuar se "kush i thotë vetes sot shqiptar i mirë, duhet të mos harrojë se kur keqja e kap për fyti një popull nuk është e mira e askujt. Çdo shqiptar i mirë duhet të bëjë diçka sa të vogël edhe të madhe për këtë vend ditën e dielë kundër rrënimit dhe të votojë Rilindjen".

“Zgjidhni numrin 29 që të çliroheni nga e shkuara. Ndëshkojeni me votën për numrin 29 marrëzinë e përçarjes. Batakçillëku e ka varfëruar Shqipërinë në ekonomi dhe aspirata dhe sot një hije e vjetër dhe e lodhur po endet nëpër Shqipëri për t’i ngopur njerëzit me lugën bosh. Mbështesni Rilindjen për të pasur një qeveri që shërben dhe jo një çetë plaku që rrëmben. Rrena dhe tradhtia e rraskapitën këtë popull të mbytur në varfëri”, tha Rama.

"Në Shkodër kërkohet një rilindje shqiptare. Rilindje jo për të zëvendësuar dikë me dikë tjetër në krye të qeverisë së Tiranës, as për të zgjedhur mes një pale e një pale tjetër, por Rilindje për t’i dhënë drejtim këtij vendi, që është amaneti i të parëve dhe borxhi që u kemi fëmijëve tanë", tha Rama.

RAMA: TE VULOSIM ME VOTE SE ÇFARË JEMI DHE ÇFARË DUAM
 
Duke i ftuar qytetarët e Shkodrës, Vlorës dhe gjithë Shqipërinë që votojnë numrin 29, kreu i Partisë Socialiste theksoi se duhen lënë pas ndasitë dhe të gjithë të bashkohen në një mendje.
 
“Ata e vulosën me gjak se çfarë qenë, ne na mbetet ta vulosim me votë pas 48 orësh se çfarë jemi, robër të rrënimit, apo qytetarë të rilindjes. Na mbetet të vulosim se çfarë jemi në emër të së shkuarës. Ne jemi një popull që me përbuzjen e meritume do jua marr atë thikë nga dora dhe do t’ua flak, që lumi t’i marrë me vete me gjithë djallëzinë ndaj këtij populli. Tregoni në 23 qershor se kush jemi. Nuk mund të na përçajë me thikën e ndasisë, e janë gati ta çojnë në humnerë Shqipërinë. Ne e duan një jug e veri, por njëri tjetrin e duam në krah, e jemi në krah”, tha Rama.
 
Më tej kryesocialisti vijoi, “Ne jemi një popull që si shqiptar i mbyll rrugën zullumit të trashur duke u bashkuar në një mendje, duke u bashkuar tek numri 29 për atë që jemi, dhe të ndaloni të na imponojë rrënimin. Ndaloni të çojnë përralla tuneli e borxhit, kriminalitetit, ndotjes, papunësisë, rrenave e tradhtive. E diela është dita që Shkodra e Vlora të jenë në një mendje, qe veriu e jugu të bëjnë një zgjidhje. Që Shqipëria të jetë një e të votojë 29. Rroftë Shkodra, Rroftë Vlora. Rrofshin shqiptarët në veri e në jug, rroftë ky popull që meriton më shumë, dhe më 23 qershor do të votojë për Rilindjen”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)