TIRANË- Nëse do të ishte kryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli do të bashkëpunonte me qeverinë për përballimin e situatës COVID-19, ndryshe nga panorama që është ofruar në ditët e sotme ku opozita dhe mazhoranca, por punojnë në dy fronte të ndara.

Në një intervistë ekskluzive për Report Tv në edicionin qendror të lajmeve, Topalli ka theksuar se bashkëpunimi do të ishte i vërtetë, të paktën nga ana e saj, dhe kurrsesi nuk do e shfrytëzonte për karrigen e pushtetit. Duke e quajtur të neveritshme përdorimin politik të virusit, por me shumë diplomaci pa e specifikuar nëse kjo gjë po ndodh aktualisht nga partitë politike, ish- kryetarja e Kuvendit tha se ky është momenti që të mbizotërojë vetëm dashuria midis njerëzve.

E pyetur nga gazetari, se çfarë do të bënte ndryshe për Shkodrës nëse do ishte në pushtet, ajo tha se do të shkonte lagje më lagje, kafe më kafe dhe do t'u lutej qytetarëve që të respektonin masat. Megjithatë, si ish-deputete e qarkut dhe mbi të gjitha si një shkodrane, ajo i ka dalë në mbrojtje qytetit të saj duke thënë se një pjesë shumë e vogël nuk po i respekton masat e marra nga qeveria.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:37
A do vishte bluzën e bardhë në këtë situatë nëse do ishte mjeke? Ish- kryetarja e Kuvendit: Ju e kujtoni Jozefinën e fortë...

Të gjithë e kemi identifikuar ish- kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin si një grua shumë të fortë, ama e vërteta është ndryshe. Në intervistën për Report Tv, Topalli tha se nëse do të ishte me profesion mjeke, do e kishte të vështirë të vishte bluzën e bardhë në këtë situatë, kjo jo për shkak të mungesës së vullnetit, por sepse nuk ka forcë që të përballojë një dhimbje kaq të madhe.

"Kujtojnë se Jozefina është e fortë. Nuk kam pasur forcën që të përballojë dhimbje kaq të mëdha", tha Topalli.

Ora 18:26
Topalli për Report Tv: Po të isha në krye të opozitës do bashkëpunoja me qeverinë, por pa e përdorur për pushtet

E vendosur në vendin e kryetares së opozitës, ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se do të bashkëpunonte me qeverinë në këtë situatë, pa e përdorur për pushtet.

"Bashkëpunimi shumë i rëndësishëm, kur është fjalë për jetën dhe mbijetesës, sigurisht që aty nuk ka vend për të bërë politik. Në këtë aspekt do kisha ofruar bashkëpunim, duke kërkuar edhe masat të reja më të forta, jo duke e përdorur COVID-19 për karrigen e pushtet. Nuk do rri e heshtur, do flas për secilin nga ato", tha Topalli.

Ora 18:19
Topalli: Ja çfarë do kisha bërë ndryshe për menaxhimin e kësaj situate për COVID-19 në Shkodër

Në një intervistë për Report Tv, Topalli ka rrëfyer se çfarë do kishte bërë ndryshe për menaxhimin e situatës së COVID-19.

"Do shkoja lagje më lagje, kafe më kafe, dhe do iu isha lutur që të respektonin masat, nuk do lejoja që tregjet të ishin ashtu, por do kisha punuar që tregjet të kishin standarde", tha Topalli.

Ora 18:18
Topalli: Respektimi i masave shumë më i rëndësishëm se testimet në masë

Ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka marrë si shembull Portugalinë dhe Spanjën, për të vënë në pah se respektimi i masave është shumë herë më i i rëndësishëm se testimi në masë. Ajo zgjodhi që të mos e komentonte politikisht, por tha se shumë e rëndësishme është mbyllja në shtëpi, vendosja e maskave, ruajtja e distancës. Kjo është ajo që sjellë një kurbë më të ulët, shprehet Topalli, duke dalë kështu në mënyrë indirekte kundër kërkesës së PD, që kërkon më shumë teste.

"Debati për testimet është debat global, nuk mund ta trajtojmë këtë cështje thjesht si në Shqipëri se është betejë planetare, janë tema të debateve që zhvillohen në çdo vend. Shikoni Portugalin dhe Spanjën, në Portugali vetëm për shkak të zbatimit të masave numri i të prekurve është shumë më i ulët se ai në Spanjë, prandaj ftesa ime është që të qëndrojnë në shtëpi, të vendosin maskën dhe të respektojnë distancën kur e kanë të domosdoshme", tha Topalli.