Një person rreth 50 vjeç është gjetur i shtrirë në dëborë pranë antenave në zonën e Midës në fshatin Krrabë të Pukës. Policia është nisur drejt zonës pasi një person telefonoi sallën operative për ta njoftuar.
50-vjeçari me iniciale L. K., është punonjës i një kompanie celulare dhe se kishte shkuar për të rregulluar antenën e kompanisë. Ai është dërguar me helikopter drejt spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
“Fushë-Arrëz / Informacion paraprak
Rreth orës 09:20, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Pukë ka telefonuar shtetasi Gj. T., i cili ka njoftuar se në fshatin Krrabë ndodhej një person i shtrirë pranë antenave.
Menjëherë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet e emergjencës civile dhe të shëndetësisë, kanë shkuar në vendngjarje (tek antenat në zonën e Midës).
Nga verifikimet ka rezultuar se bëhej fjalë për shtetasin L. K., rreth 50 vjeç, punonjës i një kompanie celulare, i cili dyshohet se kishte shkuar për të rregulluar një defekt në një antenë të kompanisë.
Shtetasi L. K. është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të rastit”, njofton policia.
Komente









