Shkolla e Labinot Katundit, në njësinë administrative Labinot Mal të Elbasanit, pajiset për herë të parë me një laborator të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Me mbështetjen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), një klasë e shkollës u kthye në laborator, ku nxënësit do të mund të zhvillojnë në praktikë orët e TIK-ut.

Kërkesa për laboratorin u ngrit nga prindërit gjatë takimeve me komunitetin në kuadër të nismës “Prania Besnike”.

“Një nga kërkesat që është bërë më shumë dhe në takimet që bëjmë me ‘Praninë Besnike’ ka qenë më së shumti nga prindërit tuaj, që të kemi një laborator ku lënda e TIK-ut të mund të ushtrohet 100% në praktikë dhe jo vetëm në teori”, tha deputetja Sara Mile.

Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, tha se kjo ishte hera e parë që agjencia merrte një kërkesë nga komuniteti përmes nismës “Prania Besnike”. Për realizimin e laboratorit, agjencia bashkëpunoi me Ministrinë e Arsimit.

“Është hera e parë që ne marrim një kërkesë nga komuniteti përmes ‘Pranisë Besnike’. Gjëja e parë që bëmë, u lidhëm me Ministrinë e Arsimit që të kryejmë të gjithë procesin institucional”, tha Risena Xhaja, kryeadministratore e AAPSK-së.

Në nismë do të përfshihen edhe të rinjtë e “Switch Technologies”, një sipërmarrje që nisi si startup në Elbasan. Ata do të ndajnë përvojën e tyre me nxënësit dhe do t’i ndihmojnë të zhvillojnë aftësitë praktike në përdorimin e teknologjisë.