Shkolla “Kiço Blushi” do të presë 1300 nxënës, Veliaj: Nënshkruani kontratat me Bashkinë, që të merrni shtëpitë në lagjen 5 Maji”

Shkolla “Kiço Blushi” do të presë 1300 nxënës, Veliaj: Nënshkruani kontratat me Bashkinë, që të merrni shtëpitë në lagjen 5 Maji”

Erion Veliaj

Shkolla e re që po ndërtohet në zonën e “5 Majit”, e cila mban emrin e shkrimtarit dhe publicistit “Kiço Blushi”, në shtator do të presë 1300 nxënës nga Njësia 4 dhe Njësia 8. Në inspektimin e ecurisë së punës për ndërtimin e saj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se kjo shkollë është një lajm i mirë për fëmijët e zonës, të cilët s’kanë më nevojë të ndjekin mësimin në një shkollë larg banesës së tyre. Godina e re, që shtrihet në një terren prej 17 mijë metrash katrorë për 600 nxënës të shkollës 9-vjeçare dhe 750 nxënës të gjimnazit, përfshin edhe 4 klasa të kopshtit dhe parashkollorit. 

“Është super lajm për Njësinë 8, e cila është rritur jashtë mase, pasi përfshin edhe zonën mbi dhe nën Unazën e tretë, deri te Bregu i Lumit. E gjithë kjo lagje, që quhet edhe lagjja “Besa”, është rritur organikisht dhe artificialisht, edhe prej investimit që po bëjmë te “5 Maji”, ku po ndërtojmë pallatet e reja. Do të thotë se, në dekadën e ardhshme, parashikojmë që kjo do të jetë një shkollë jo vetëm me kapacitet të plotë, por jashtëzakonisht e nevojshme. Ishte e nevojshme edhe kur ishte zonë informale, por tani që është formalizuar, kjo shkollë bëhet jetike,” u shpreh Veliaj. 

Ai tha se me këtë shkollë, por edhe me shkollat e reja që janë hapur dhe do të hapen, zgjidhet përfundimisht problemi i mësimit me 2 turne, një gangrenë 30-vjeçare në Tiranë.  

“Me zgjidhjen që i kemi dhënë Njësisë 8, ku po bëjmë një shkollë te Medreseja, për komunitetin e Rrugës së Dibrës dhe një shkollë në zonën e “5 Majit”, për komunitetin vendas aty, por edhe për ata që po vendosen aty për shkak të zhvillimeve të reja, nuk do ketë asnjë arsye për të lëvizur nga mëhalla. Një pjesë e madhe e trafikut të “5 Majit”, vjen patjetër prej tregut, - për të cilin do të gjejmë një zgjidhje, - por vjen edhe prej vara-vingove prej mungesës së shkollës,” tha kreu i Bashkisë.

Sa i takon lagjes së re të rindërtimit te “5 Maji” Veliaj u ka bërë thirrje familjeve që ende nuk kanë firmosur kontratat, të vijnë t’i nënshkruajnë në njësitë administrative dhe të marrin apartamentet e reja.

“Kush ka ngelur ndonjë tek-tuk, që mendon se do të vijë ndonjëherë ndonjë parti që nuk do e përkrahë zhvillimin dhe do bllokojë projektet, e ka iluzion të kotë. Nëse ka ngelur ndonjë nga militantët e fundit, i bëj një ftesë miqësore: Eja nënshkruaj kontratën që të marrësh shtëpinë. Po vazhdojmë me ritmet te “5 Maji”, por ja ku është edhe shkolla. Idealin e partisë ruaje për njëherë në katër vjet, voto kundër kryetarit të Bashkisë nëse s’të pëlqen progresi dhe zhvillimi - s’ka asnjë problem - por progresin nuk e ndalim dot! Duhet të vazhdojmë përpara. Tani që po kalojmë edhe shumicën e shërbimeve online, na duhet të inkurajojmë njerëzit që t’i regjistrojnë fëmijët në shkollën më të afërt me lagjen e tyre. Ata fëmijë që lodhen vara-vingo me furgonë, gjatë këtyre orëve mund të mësojnë një gjuhë të huaj, një program kompjuteri, të ndjekin një kurs. Kemi bërë palestra, fusha sportive, që edhe komuniteti këtu, jo vetëm të mos ndihet në periferi, por të shohë që është një shkollë me të njëjtën cilësi, siç kemi bërë shkollat në qendër,” deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale