Shkolla “Sotir Çapo” në Zharrëz të Patosit ka marrë një pamje të re pas rikonstruksionit. Nxënësit dhe mësuesit tashmë kanë në dispozicion një godinë me klasa të reja, laboratorë, palestër dhe hapësira për aktivitete jashtë orarit mësimor.

Pamjet nga shkolla e rikonstruktuar janë publikuar nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

“Shkolla e rilindur ‘Sotir Çapo’ në Zharrëz, Patos. Një kapitull i ri për nxënësit dhe mësuesit, që tashmë kanë një godinë moderne, më të mirë dhe më të bukur”, shkruan Rama.

Përveç ambienteve ku zhvillohet mësimi, shkolla ka edhe hapësira që do të përdoren për programin “Pas Shkolle”, duke u dhënë mundësi nxënësve të zhvillojnë aktivitete edhe pas përfundimit të orëve të mësimit.