Projekti “Pas shkolle” i Ministrisë së Arsimit tashmë u jep mundësi nxënësve që të vijojnë mësimet në shkolla edhe pasi përfundojnë procesin e rregullt mësimor, ku mund të kryejnë detyrat apo të aktivizohen në aktivitete të tjera. Projekti ka angazhuar edhe mësues pensionistë, siç është edhe Vjollca Gashi në qytetin e Kukësit.
***
“Pas shkolle” është programi më i ri i Ministrisë së Arsimit për të ndihmuar nxënësit edhe pas përfundimit të procesit të rregullt mësimor.
Veç ndihmës ndaj nxënësve, projekti duket se ka aktivizuar edhe mësuesit pensionistë, të cilët kanë hapësirën e duhur për t’u angazhuar sërish në profesion.
Në Kukës, mësuesja Vjollca Gashi, e cila ka mbushur moshën e pensionit prej gjashtë muajsh, duke lënë pas një karrierë 43-vjeçare, është një nga mësueset që ka përfituar nga ky projekt. Ajo tregon se, falë angazhimit gjatë pasdites me nxënësit, po qëndron ende aktive në sistemin arsimor, profesion të cilin, siç thotë ajo, e ka dashur gjithë jetën.
"Përfshirja e mësuesve pensionistë, duke përfshirë qoftë mësimin, qoftë zejet, qoftë pikturën etj, do të jetë një nismë që aty ku ka mundësi, mësuesi në pension të kontribuiojë edhe një pjesë të jetës së tij, aq sa ka mundësi për të dhënë. E mirëpres me gëzim sepse qoftë edhe pak të ndihemi mirë, qoftë nga ana morale, qoftë nga ana financiare",- thotë Vjollca Gashi.
Programi “Pas Shkolle” në shkollat publike ka për qëllim që fëmijët të qëndrojnë në shkollë edhe pas orarit të detyruar për të kryer detyrat apo për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme edukative dhe praktike. Në këtë kuadër, është hapur thirrja edhe për mësues në pension dhe specialistë, të cilët duan të angazhohen kundrejt një pagese prej rreth 1000 lekësh për orë.
Komente










