Pushimet verore për shumë fëmijë nuk nënkuptojnë largimin nga bankat e shkollës.
Në shkollën 9-vjeçare "Qazim Turdiu", një prej 47 institucioneve ku po zbatohet programi "Shkolla Verore", qindra nxënës vijojnë t’i kalojnë ditët mes sportit, leximit dhe artit.
Klubi i Sportit dhe Lojërave Fizike, ai i Artit dhe Punëve të Dorës, por edhe aktivitete të tjera kreative, janë vetëm disa nga aktivitet ku do të mund të përfshihen nxënësit deri në fund të muajit
Në një tjetër kënd të shkollës, fëmijët nuk shkëputen nga libri.
“Çdo libër fsheh një aventurë dhe një mësim të çmuar”.
“Një libër i mirë është një mik që nuk të zhgënjen kurrë”.
“Të mbushësh raftet me libra është më e dobishme se të mbushësh portofolin me paratë”, shprehen disa nga nxënësit.
Vetë nxënësit tregojnë se aktivitetet i ndihmojnë të kalojnë kohën në mënyrë argëtuese.
“Më pëlqen shumë kur unë vij këtu. Ne lodhemi jashtë duke luajtur lojëra sportive dhe vijmë te këndi i bibliotekës për të lexuar libra së bashku.”
“Unë jam duke bërë një byzylyk me shkronjën e parë të emrit tim dhe jam duke vendosur ngjyrat që më pëlqejnë”
“Sot po merremi me art, me byzylykë dhe po mundohemi të argëtohemi sa më shumë”, shprehen disa nga nxënësit.
Programi përfshin edhe fëmijët me aftësi ndryshe
“Kemi 20 fëmijë për grup dhe fëmijë me aftësi ndryshe. Ato janë më të gëzuar dhe ne i mbajmë dhe shumë afër. Pjesë e programit ne kemi gjashtë fëmijë”, thotë mësuese Etleva Mane.
Edhe pse kjo është një periudhë intensive për maturantët, Arsjana Hida ka zgjedhur të jetë pjesë e shkollës verore si vullnetare.
“Kam vendosur që të ndihmoj këta fëmijë sepse kam qenë dhe vetë. Këta duan një person që t’i angazhojnë dhe t'i drejtojnë drejt pasioneve, por pse jo dhe të kalojnë dhe kohën e lirë. Gjatë kohës së mëngjesit unë vij me këta fëmijë, heqë pak vëmendjen nga ai stresi i shkollës dhe pastaj pasdite angazhohem me mësimet dhe angazhimet e mia.”, thotë Asjana Hida.
Nga Ministria e Arsimit thonë se nisma është pritur mirë nga prindërit dhe fëmijët, pasi u krijon të vegjëlve mundësi për të kaluar pushimet në mënyrë aktive dhe edukative.
“Një iniciativë kjo e Ministrisë së Arsimit, po në bashkëpunim në shkollën verore dhe me World Vision Albania me të cilët kemi bashkërenduar edhe organizimin sa më efikas dhe më të mirë. Prindërit mund të themi që kanë shprehur në mënyrë unanime ë dhe kanë qenë tejet prezent për të ndihmuar, për të qenë ë pranë këtij sistemi dhe këtij programi”, shprehet Herida Duro, zv/ministre e Arsimit.
Programi "Shkolla Verore 2026" po zbatohet në 47 shkolla, 45 në Tiranë dhe 2 në Kamzë, me pjesëmarrjen e rreth 7 500 nxënësve. Në zbatimin e tij janë angazhuar mësues, punonjës socialë, oficerë sigurie dhe dhjetëra vullnetarë nga gjimnazet.
Komente









