
Të paktën 128 persona dihet se kanë humbur jetën nga zjarri shkatërrues që përfshiu disa ndërtesa shumëkatëshe në Hong Kong.
Tetë persona janë arrestuar nën dyshimin për korrupsion, lidhur me punimet e rinovimit që po kryheshin në godinat përpara se të shpërthente zjarri. Tre të tjerë u ndaluan më herët nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, megjithëse zyrtarët thanë se polistireni dhe rrjetat mbrojtëse të vendosura jashtë dritareve ndihmuan në përhapjen e flakëve.
Edhe 79 persona të tjerë u plagosën në zjarr – më i rëndi që ka përjetuar qyteti në më shumë se 70 vjet. Dhjetëra të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Policia hyri në godinat e djegura për të mbledhur prova, pasi autoritetet thanë se hetimi do të zgjasë tre deri në katër javë.
Komisioni i Pavarur kundër Korrupsionit (ICAC) njoftoi se të arrestuarit në hetimin për korrupsion përfshijnë drejtorë të një kompanie inxhinierike dhe nënkontraktorë të skelave.
Rreth 2.311 zjarrfikës punuan për ta vënë zjarrin nën kontroll, pasi ai përfshiu shtatë nga tetë ndërtesat e kompleksit Wang Fuk Court.
Operacionet e shuarjes tashmë kanë përfunduar. Sipas departamentit të zjarrfikësve, zjarri u shua plotësisht në orën 10:18 të mëngjesit të së premtes me orën lokale (02:18 GMT), konfirmuar në një konferencë për shtyp.
Lajmi kryesor:
Shkon në 128 numri i viktimave nga zjarri në bllokun e qiellgërvishtësve në Hong Kong, 200 persona ende të zhdukur








