Ylli Pata: Shkresa e Bardhit për 'provat e 21 prillit', rikthehet telenovela e 2017-s në panelet televizive

Ylli Pata: Shkresa e Bardhit për 'provat e 21 prillit', rikthehet telenovela e 2017-s në panelet televizive

Shkresa e Gazmend Bardhit drejtuar degëve që të hartojnë një material për të identifikuar “njerëzit që kanë bërë fushatën për Partinë Socialiste”, është një zhvillim i qartë se shpejt do të kemi një lloj déjà vu-je të politikës së PD-së, për të përsëritur avazin e pas 2017-s.

Pas 25 prillit, si nga Basha, ashtu edhe nga drejtues të tjerë të PD-së, bëhet e ditur se do të nisin deri në korrik të ashtuquajturin “turin e provave”, për të plotësuar dosjen e zgjedhjeve që Basha ka bërë të ditur se nuk do t’i njohë kurrë.

“Turi” nuk u bë asnjë ditë, por në fundjavën e shkuar, doli shkresa, ku nga “faktet për manipulimin apo blerjen e zgjedhjeve”, degët e PD-së në qarqe, do të sjellin emra dhe njerëz që sipas atyre kanë bërë fushatë për Partinë Socialiste.

Sipas të gjitha gjasave, në shtator do të nisë një fushatë linçimi, ku emra të përveçëm, kryesisht drejtues vendorë, por edhe qëndrore të institucioneve apo enteve, do të akuzohen se kanë bërë fushatë për Partinë Socialiste.

Sipas të gjitha gjasave, do të rikthehet koha e “Babales 3”, ku do të inicohen panelet televizive me variacion mbi temën të gjejnë nga një person të fuqishëm çdo javë, ku do të kryeqëzohet dhe sulmohet.

Sulmi do të nisë nga selia blu, tek salla e konferencave të shtypit, e më pas do të nisë diskutimi në panele, ku përveç analistëve, i lidhur “live” do të jetë edhe zyrtari i PD-së që ka bërë denoncimin, i cili do të japë “provat e tij”, e nëse personi i akuzuar do të jetë në studio, ai do të jetë “kurbani i radhës”.

Nëse zyrtari në fjalë do të jetë titullar i ndonjë enti që konsiderohet që ka mjaft para për reklama, apo gjëra të tilla, sulmi do të marrë formën e shantazhit për gjobë.

E ka mundësi që për nja tre muaj debati të mbajë këtë linjë, derisa të shpiket ndonjë kauzë tjetër.

Një mënyrë e luftës politike që ka rezultuar totalisht e dështuar, e që PD-së nuk i ka bërë gjë tjetër, veçse e ka izoluar atë nga elektorati i palineuar apo ai që quhet “pjesa gri”.

Ndërkohë, kjo mungesë fantazie dhe dembelizmi politik i Lulzim Bashës, do ta ndëshkojë sërish në matjen e performancës së liderit.

Nëse Partia Demokratike ka fakte mbi “masakrën” apo indicje për blerjen e mundshme të votës, nuk ka rrugë tjetër veçse t’i çojë në Prokurori.

Madje lajmi i sotëm, ku Prokuroria ka mbyllur dosjen, duke kërkuar burg për 21 komisionerë në Shijak për të ashtuquajturën “Dosje 339”, është një precedent mjaft i rëndësishëm, që ndihmon hetimet në të ardhmen.

Por PD ka edhe një alternativë tjetër, që përveç Prokurorisë, të dërgojë materialet tek ndërkombëtarët, ku këto të fundit, siç janë korrektë e seriozë, do të shqyrtojnë me kujdes këto pretendime, e do të mbajnë qëndrimet e veta.

Madje, përpara publikimit të raportit përfundimtar të misionit të OSBE-ODIHR, mund t’u dërgohet materiali që të plotësohet qasja e tij.

Ky është një qëndrim serioz, e pas qëndrimeve të institucioneve apo edhe ndërkombëtarëve, PD-ja mund të kushtëzojë mazhorancën për reformat për zgjedhjet e reja, apo për kondicionime të tjera në lidhje me stinën politike në Parlament.

Ku hapësira është shumë e madhe, si nga hapja e Ramës për bashkëpunim, ashtu edhe nga qëndrimi i BE-së pas nisjes së Konferencës Ndërqeveritare.

Por jo, PD nuk duket se i nevojitet shumë një dosje e kopsitur, por i duhet një fashikull me njerëz për t’i shantazhuar me emër e mbiemër, që kauzat të përkthehen konkretisht, së bashku edhe me etikimet përkatëse, apo edhe fantazisë që këtu në këtë rast qytetari digjital do të jetë në lartësinë e tij “kozmike”.

E në këtë situatë, mazhoranca do të dalë nga mbrojtja në kundërsulm, e politika shqiptare do t’i kthehet pandemisë sa saj permanente, për të ardhur tek emisionet e Ramës me panelistët që “luftojnë për lirinë”, e këtu nuk ka nevojë që Arditi të nxjerrë as vëllezërit që rrihen me rrip, apo ajo zonja që do “të bëj një dorë jetë”.

Spektaklin e garantojnë emisionet e darkës, ku kanë të ftuar Gaz Bardhin, në shumicën e serive të këtyre telenovelave…

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës