Kadastra e Vlorës e cila ka ndërruar vazhdimisht drejtorët, do të shpërngulet nga qyteti bregdetar dhe do të transferohet në selinë qendrore në Tiranë pranë rrugës “Jordan Misja”. Vendimi është firmosur nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës Lorena Goxhobelli më 23 janar. Zhvendosja nga Vlora në Tiranë duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji.

Në fakt në Vlorë, kanë mbetur vetëm një pjesë e strukturave, pasi transferimi ka nisur prej vitit të kaluar, përfshirë drejtorin Albion Koçi dhe 25 punonjës të cilët prej muajsh po punojnë në drejtorinë e përgjithshme. Report Tv mëson se bëhet fjalë vetëm për 55 punonjës që janë në Vlorë dhe do të duhet të lëvizin në kryeqytet.

Drejtuesi i fundit i Kadastrës së Vlorës, ishte Genc Deromemaj, një emër që ngjalli reagime, pasi më herët kishte qenë kandidat i PD-së për kryetar të bashkisë së Vlorës. Ai u dorëhoq nga detyra në nëntor të vitit 2025, ku qëndroi në krye të Kadastrës vetëm për 4 muaj.

Vendimi për të larguar Kadastrën e Vlorës në Tiranë vjen vetëm një vit pasi institucioni ishte zhvendosur në një godinë të re në qytetin bregdetar, pranë ish-Shtëpisë së Oficerëve.