Prej disa ditësh, familja Bytyçi nga fshati Allkaj në Bashkinë e Lushnjës, ka mbetur në qiell të hapur. Ka mjaftuar një shkëndijë elektrike në orët e para të mëngjesit të datës 13 që banesa e kësaj familjeje me 12 anëtarë të digjet e të rrënohet tërësisht për shkak dhe të amortizimit të tejskajshëm të saj. Për fat të mirë nuk është lënduar asnjë prej anëtarëve të familjes.

Gjendja e rënduar ekonomike e kësaj familjeje, e cila i ka ndjekur vit pas viti duke iu dashur të shesin dhe tokën në pronësi për të jetuar, sot është akoma dhe më e rëndë. Aktualisht dhe ato pak orendi apo edhe bazë ekonomike i kanë përfshirë flakët duke i çuar anëtarët e familjes në mjerim të plotë.

Momentalisht, 12 anëtarët e kësaj familjeje kanë 9 mijë lekë që i përfiton kryefamiljarja Nafije, e cila i shërben një të moshuare tjetër dhe punës ditore që mund të gjejnë tre djemtë e familjes. Qysh nga dita e djegies së shtëpisë një pjesë e familjes banon në një dhomë që shërbente si magazinë, ndërsa pjesa tjetër janë shpërndarë tek të afërmit.

Djali i madh i familjes Fatjon Bytyçi tregon për ngjarjen dhe bën apel për ndihmë në këto momente të vështira, pasi përveç solidaritetit të komshinjve askush nuk është interesuar megjithëse institucionet vendore e kanë parë nga afër situatën.

Nga ana e saj e moshuara kryefamiljare Nafije Bytyçi kërkon ndihmë nga shteti, pasi nuk bëhet fjalë fare që me ekonominë e tyre të riparojnë banesën, por nuk po ngopin dot as nipërit me bukë thatë.

I vetmi ushqim i shpëtuar nga zjarri në familjen Bytyçi janë disa bidonë me turshi speci, ndërkohë që familjarët përveçse janë shpërndarë te të afërmit kanë improvizuar një çadër plastmasi për të ndenjur në ditët pa reshje.


(Shtëpia e djegur)