Një banesë dykatëshe është përfshirë nga flakët në fshatin Fiershegan të Bashkisë Lushnjë, ndërsa çifti i të moshuarve që jetonte në të ka arritur të dalë në kohë me ndihmën e banorëve të zonës.

Në vendngjarje mbërritën dy mjete zjarrfikëse, të cilat arritën të izolonin flakët dhe të mos lejonin përhapjen e zjarrit te banesat ngjitur.

Si pasojë e flakëve, banesa u dogj plotësisht, duke u shkatërruar gjithçka që ndodhej brenda saj.

Sipas specialistëve të shërbimit zjarrfikës, shkaku i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.