Deklarata e kreyministrit Edi Rama, në emisionin “Opinion” për emërimet në administratë ka ngjallur reagimin e pjesës më fanatike të myslimanëve shqiptarë, atyre të Maqedonisë. Revista “Shenja”, një revistë maqedonase, e cila shpërndahet edhe në Shqipëri e Kosovë, e ka quajtur fyerje dhe racizëm ndaj fesë myslimane, deklaratën e Edi Ramës, ku ai përmend ferexhenë. (shkrimin e plotë mund ta lexoni në http://shenja.mk/index.php/ lajme/rajoni/5035-rama-fyen-vajzat-me-ferexhe.html). Deklarata ka lidhje me fotot që u publikuan në disa media, të Brisida Shehaj, vajzës që u emërua në krye të tatimeve, ku ajo shfaqej në plazh dhe Rama iu përgjigj pyetjes së gazetarit “Pse çfarë prisni ju, që të marrim vajza me ferexhe për t’i punësuar në administratë”?.
Ka qenë kjo ajo që ka prekur dhe irrituar myslimanët e maqedonisë, të cilët kanë reaguar ndaj kësaj deklarate të Ramës, duke e cilësuar një deklaratë poshtëruese ndaj veshjes së ferexhesë. Në fakt ky është reagimi i parë dhe i vetëm që vjen nga pjesa myslimane e shqiptarëve ndaj kësaj deklarate. Duket se Komuniteti Mysliman Shqiptar është treguar i kujdesshëm dhe ka preferuar të qëndrojë larg reagimeve ndaj kësaj deklarate, jo vetëm për faktin se nuk i intereson t’i kundërvihet qeverisë së re në këtë moment kur është vënë në pikëpyetje vendimi për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, por edhe për faktin se kryeministri i ri në deklatën e tij përmend ferexhenë, një veshje tipike e vajzave myslimane, por që nuk aplikohet në vendin tonë.
Ferexheja u mbulon kopmplet fytyrën, ndërsa vajzat e fesë muyslimane në vendin tonë, aplikojnë shaminë e kokës, e cila mbulon vetëm flokët dhe jo pamjen e fytyrës. Revista “Shenja”, ka mbajtur një qëndrim të fortë kritik ndaj deklaratës së Ramës, jo vetëm për emërimet në administratë, por ka cituar se Rama nuk ëhstë dashamrirës ndaj komunitetit Mysliman. Për këtë i referohet vendimit të tij kur ishte në krye të bashkisë së Tiranës, i cili miratoi lejen për ndërtimin e xhamisë së myslimanëve në një tokë që kishte probleme pronësie dhe ndërtimi i saj nuk mund të niste pa u zgjidhur problemet e pronësisë.
Ndryshe nga pjesa zyrtare e komunitetit mysliman, besimatrët e thjeshtë edhe në Shqipëri, nuk kanë reaguar mirë ndaj kësaj deklarate. Ata e kanë shpërndarë në faqet e tyre në “Facebook” shkrimin e publikuar nga “Shenja” dhe kërkojnë që edhe komuniteti mysliman shqiptar të reagojë ndaj kësaj deklarate, pasi edhe për ta është fyerje që etiketohen vajzat myslimane apo veshja e tyre.
Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)