SHKUP - Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev publikoi të ashtuquajturën bombën e radhës , që ka të bëjë me biseda të përgjuara të krerëve qeveritar dhe personaliteteve politike lidhur me skandale dhe afera të tyre, duke keqpërdorur pozitën publike.

Kryeopozitari Zaev prezantoi materiale të cilat sipas tij tregojnë se si kryeministri Gruevski ka ndikuar të ndryshohen planet urbanistike, cili ka qenë roli i tij në dramën me këshilltarin e Komunës Qendër, Shipoviç.

Lideri i LSDM-së tha se me këto materiale tregohet se me urdhër të Gruevskit janë ndryshuar planet urbanistike në disa zona të Shkupit për ti uzurpuar kryeministri me djalin e xhaxhait, shefin e inteligjencës- Sasho Mijallkov si dhe persona të tjerë.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për 4 banesat, as për metrat katrorë që ai në mënyra të çuditshme dëshironte ti fitojë, as për shtëpinë shtesë të tij, por kjo bombë tregon për skandalet që ju me siguri e mbani mend, për miratimin e dy planeve të kontestueshme urbanistike në Tasino Çeshmiçe 1 dhe Kapishtec në Vodno. Në planin e parë urbanistik kontestuese janë objektet e Panoramës dhe dhjetë-katëshet. Por plani i dytë urbanistik fsheh diçka tjetër, dy lokacione atraktive të cilat i kanë pëlqyer Gruevskit dhe i ka uzurpuar. Sot vlera e tyre është mbi 10 milion euro.” tha Zaev.

Lideri i opozitës Zoran Zaev mes kërkesës për dorëheqjen e qeverisë deklaroi edhe një herë se të gjitha bisedat që kanë të bëjnë me aferat korruptive do të publikohen dhe se në gjithë këtë aspak nuk do të kursehen as partitë shqiptare.

“ Nuk do të kursejmë askënd, gjithcka do të zbardhet. Është BDI apo PDSH nuk kemi paragjykime për askend”, thotë Zoran Zaev

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)