SHKUP - Nuk i kanë shumë mirë punët me të drejtat e tyre në Maqedoni, por shqiptarët gjejnë kohë të brengosen edhe për çështje tjera. Në fokus të disa shqiptarëve të Maqedonisë ditën e premte ka qenë gjendja konfliktuale në Turqi.

Siç bën të ditur "Zhurnal", as më shumë e as më pak, qindra shqiptarë në Shkup kanë protestuar në mbështetje të kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan. Protesta ka filluar nga lagjja Çair në Shkup, përpara xhamisë së Jahja Pashës dhe ka mbaruar përpara xhamisë së Murat Pashës, në qendër të Çarshisë së Vjetër.
 
Përpara tubuesve, organizatorët e protestës kanë lexuar në tri gjuhë komunikatën e përbashkët, me të cilën është shprehur mbështetja për politikat e kryeministrit aktual të ". Turqisë, por dhe falënderimi për përkrahjen turke ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, edhe me parrullat: "Jemi me ty".
 
“Duke e ndjerë detyrim moral dhe miqësor, që të japim mbështetjen për popullin tonë mik, popullin turk, duke shprehur mirënjohjen e popullit shqiptar, i cili në çastet e vështira gjithnjë e ka pasur pranë Turqinë aq më shumë duke qenë të bindur në miqësinë dhe mbështetjen që e ka dhënë kryeministrii Turqisë Rexhep Taip Erdogan, mbështetjen e dhënë për shtetësinë e Kosovës dhe për formimin e shtetësisë së mëtejshme dhe për përkrahjen e shqiptarëve në përgjithësi”, është thënë në komunikatën e lexuar para protestuesve.
 
Protesta u organizua nga disa organizata joqeveritare, të organizuara në Këshillin “Platforma për mbështetjen e Turqisë”, me qëllimin mbështetjen e kryeministrit turk, i cili është përballur deri sot me protesta masive të të rinjve turq.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)