TIRANE- Në kulmin e debatit të një takimi të mundshëm Rama-Basha, kreu i PD anuloi dje mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për të vajtur në Kosovë në 15-vjetorin e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur pritej që Basha të diskutonte me deputetët e tij për detajet e takimit me Ramën apo pretendimet e opozitës për reformën territoriale, kreu i PD-së iu shmang, duke e lënë pezull çështjen e shumëpërfolur të reformës administrative.

Krahas kësaj, Basha me largimin e tij në Kosovë shmangu edhe takimin e mundshëm që mund të bënte me kreun e LSI-së, Ilir Meta, i cili ditën e djeshme e kishte ftuar në 45-vjetorin e ditëlindjes së tij, duke lënë të kumtohet në këtë mënyrë se vetë Basha kërkon më shumë kohë për të mbajtur një qëndrim konkret lidhur me reformën administrative.
 
Përvjetori
Dita e djeshme shënon dy përvjetore në historinë e Kosovës, atë të epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si edhe fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj regjimit diktatorial serb. Në takimin që Basha zhvilloi në Deçan të Kosovës, ku mori edhe titullin qytetar nderi, theksoi se rruga dhe aspirata integruese shqiptare janë ende larg dhe kërkojnë ende shumë punë. Duke iu kundërpërgjigjur paralelizmave që janë bërë ndërmjet Kosovës dhe Krimesë, Basha theksoi se kjo është një tentativë e dëshpëruar e vendeve që deri dje kundërshtonin pavarësinë e Kosovës dhe tani e përdorin si alibi.

“Ata që deri dje u bënë mburojë e krimeve dhe spastrimeve genocidale nga agresioni serb, sot mundohen ta përdorin Kosovën si një alibi për të hequr paralele të papranueshme me veprimet e tyre, në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare”,- theksoi Basha.
Krahas kreut të PD-së, edhe kryeministri shqiptar në vitet 1998-1999, Pandeli Majko, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në “facebook” theksoi se 24 marsi i vitit 1999 shënoi edhe ditën në të cilën Europa dhe SHBA i dolën në mbrojtje kombit shqiptar. “15 vjet më parë, qielli i Tiranës dhe hapësirës shqiptare gumëzhiu nga avionët e aleancës më të madhe të historisë së njerëzimit. NATO filloi bombardimet mbi regjimin e Milosheviçit.

E “përkëdhelura” e Europës, me emrin Jugosllavi shënoi fundin e saj zyrtar me këtë bombardim. Kombi ynë i vogël, për herë të parë në histori, nuk ndihej jetim. Si sot 15 vjet më parë, SHBA dhe Europa i dolën në mbrojtje një kombi të vogël por i vjetër sa historia. Mirënjohje për miqtë e shqiptarëve. Mirënjohja është si lutja dhe nuk mbin në çdo lloj kopshti. Urime Kosova ime”,- shkruan Majko në “facebook”.
Edhe ish-kryeministri Berisha nëpërmjet një postimi në faqen e tij në “facebook” shprehu urimet për ditën në të cilën Kosova nisi rrugën e saj drejt pavarësisë.

Shkrimi u publikua sot (25.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)