Shpejtësia vijon të mbetet shkelja më e përhapur në rrugët e Fierit. Vetëm gjatë kësaj jave, Policia Rrugore ka vendosur 921 gjoba për tejkalim të limiteve të lejuara në rrugët interurbane dhe në autostradën A2, duke e bërë këtë shkeljen që kryeson me diferencë ndaj të gjitha të tjerave.

Kontrollet e zhvilluara gjatë javës kanë çuar edhe në procedimin penal të 12 personave për shkelje të Kodit Rrugor. Gjashtë prej tyre janë arrestuar në flagrancë, pasi u kapën duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Ndërkohë, gjashtë drejtues të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi rezultuan se drejtonin mjetin pa leje.

Përveç shpejtësisë, policia ka ndëshkuar edhe dhjetë drejtues që u kapën duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, 20 për parakalim të gabuar, 19 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe dy të tjerë për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Gjatë kontrolleve janë vendosur edhe 341 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit, të cilat sipas policisë konsiderohen burim aksidentesh.

Aksioni ka sjellë edhe sekuestrimin e gjashtë motomjeteve që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.

Policia Rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke theksuar se kontrollet do të vijojnë me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.