Shokimi i duhur i Prof. Fugës dhe xixëllonjat

Shokimi i duhur i Prof. Fugës dhe xixëllonjat
Ashtu si Maestrot Zen kërkojnë të shokojnë nxënësit e tyre përmes veprimeve të çuditshme, në mënyrë që të ndodhë tek ata ndriçimi, ashtu dhe një profesor i filozofisë siç është Artan Fuga, kërkon të shokojë shoqërinë shqiptare, veçanërisht atë kryeqytetase, me fjalën e tij për të zgjuar një reagim ndaj një situate të papranueshme. Thënia e gjërave me emrin që kanë dhe pa hipokrizinë e zakonshme, është një pikë e rëndësishme arritjeje e lirisë individuale. Kur je i lirë, fiton dhe lirinë e fjalës dhe lirinë për të thënë gjërat me emrin që kanë. Në këtë rast: Tirana është një hale. Eshtë një e vërtetë që preket e vërtetohet lehtë.
 
Në fakt askush nuk duhet të habitet që, Tiranën sidomos, shumica e konsiderojnë vërtetë hale dhe as mundohen të korrigjohen. Kur para shumë vitesh shkruaja në “Periferinë” time se si (unë në fakt e kam vënë re këtë kryesisht në Tiranë) burrat e këtij vendi ecin rrugëve duke pështyrë për tokë, të rinjtë duke hedhur çamçakizët në trotuar, komshinjtë e mi duke hedhur plehrat nga lart, atëherë, ç’mund të jetë një qytet dhe si konsiderohet prej qytetarëve të saj?
 
Provokimi i profesor Fugës qëndron dhe mbi këtë provokim, kush mundet dhe dëshiron, duhet të reflektojë dhe individualisht të reagojë për të pasur një qytet normal.  Por ndërkohë duhet jetuar dhe mbijetuar, dhe në qytet njerëz të mirë, finë, me dëshirën për pastërtinë dhe të bukurën ka.
 
Këto ditë maji në kryeqytet kanë çelur lulet e blirit dhe netët më të buta të pranverës janë dehëse me këtë aromë. Ndërsa dy miq që kishin bërë shëtitjen e mbrëmjes te parku i Liqenit Artificial më shkruajnë të mrekulluar: “Eshtë i mbushur plot me xixëllonja. Një spektakël i rrallë”.
Në fakt, nuk e di, nuk kam informacion se në ndonjë park brenda qytetit, në cilindo kryeqytet botëror, të ketë vallëzim xixëllonjash të cilat zhduken nga ndotja. Por nëse shumë kryeqytetas do të shijonin vërtetë spektaklin e tyre përnatë, ndoshta mund të ndriçoheshin e përmirësoheshin. Xixëllonjat delikate, ashtu si provokimi i Prof. Fugës do të kryenin të njëjtin efekt për të krijuar shpirtëra të ndjeshëm që nuk do e përdornin më Tiranën si hale.
 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë