Një grup turistësh vendas e të huaj kanë mbetur të befasuar këtë diel ndërsa kanë vizituar një prej perlave të bregdetit shqiptar në Adriatik, Kepin e Rodonit. Fillimisht ata kanë vizituar Kalanë e Skënderbeut që ndodhet në pjesën verilindore të Kepit të Rodonit, ku mund të vështrosh veç thellësisë së detit Adriatik edhe gjirin e Patokut dhe të Shëngjinit për të vijuar udhëtimin drejt një tjetër monumenti të rëndësishëm, siç është Kisha e Shën Ndout, një ndër më të njohurat që daton që prej periudhës së Mesjetës.
 
Një subjekt privat i cili ka ndërtuar një lokal në bunkerin që ndodhet në plazhin pranë Kishës ka “privatizuar” të vetmin burim uji që ndodhet pranë këtij monumenti tepër të frekuentuar.
 
Dikur ky burim sillte ujë të freskët dhe të pastër për të shuar etjen e të gjithë atyre që udhëtonin për të parë nga afër Kishën e Shën Ndout. Por këtë të diel, turistët kanë mbetur të befasuar kur janë ndaluar të shuajnë etjen e tyre me pretendimin se burimi i vetëm në atë zonë, tashmë është “pronë” e privatit. Subjekti që ka ndërtuar lokalin siç shihet edhe fotografitë që kanë dërguar vetë turistët në adresën e Shqiptarja.com ka vendosur edhe filtra për ta përdorur burimin e ujit për aktivitetin e tij privat.
 
Një skandal i tillë nuk i shërben aspak promovimit të turizmit në një zonat më të bukura të bregdetit shqiptar që tërheq jo vetëm turistët e plazhit por edhe ata që janë të apasionuar pas historisë, duke qënë se mbart monumente me vlera të jashtëzakonshme. Për më tepër që Kisha e Shën Ndout, e ndërtuar në shekujt 14-15 është e vetmja nga 4 manastiret që ekzistonin në këtë zonë, që i ka rezistuar shekujve.

kisha kepi i rodonit
kisha kepi i rodonit
kisha kepi i rodonit
kisha kepi i rodonit

Historik
Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit një nga lumenjtë e vegjël të Shqipërisë. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit.

Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga Venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim. Ndërkohë kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për tu larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk.

Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qenë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout.

Ky i fundit ishte i vetmi objekt që i ka rezistuar shekujve edhe pse në gjendje rrënoje. Objekti është ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike e cila shihet tek harqet e mprehta.

Kisha e Shën Ndout është ndërtuar sipas specialistëve në shekujt 14-15.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com