Shoqata e Bankave: Bien Kreditë
 me probleme, në nëntor 19.9 %

TIRANE- Për herë të parë pas vitesh rritjeje, kreditë me probleme në sistemin bankar kanë rënë nën kuotën 20%. Shoqata Shqiptare e Bankave raporton se në nëntor të vitit 2015 niveli i kredive me probleme në sistem zbriti në kuotën 19.9%. Totali i kredive me probleme në fund të nëntorit 2015 rezulton 116.4 miliardë lekë, nga 119 miliardë lekë që ishin një muaj më parë.

Ulja e nivelit i detyrohet kryesisht ndryshimeve në legjislacion të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për lehtësimin e sistemit nga kreditë e këqija, ku parashikohet fshirja e tyre nga bilancet e bankave. Nga ana tjetër, rënia e kredive me probleme është përkthyer në rritje të fitimeve për bankat tregtare. Po sipas të dhënave të Shoqatës Shqiptare të Bankave fitimi total i tyre deri në nëntor 2015 arriti 14.1 miliardë, 36% më i lartë se e njëjta periudhë e një viti me parë.
 
Rritja
Që prej vitit 2008, niveli i kredive me probleme në sistemin tonë bankar regjistroi rritje të dukshme, deri 24%, duke vënë në vështirësi kreditimin e ekonomisë. Ndër problemet kryesorë që shkaktuan ketë rritje u evidentua sistemi gjyqësor shqiptar, i cili ua vështirëson bankave procesin e konfiskimit dhe likuidimit të kolateraleve të kredive të këqija. Kreditorët e këqij arrinin të zvarrisnin për vite nëpër gjykata konfiskimin nga ana e bankave të pronave të lëna peng si kolateral.

Tjetër problem qe legjislacioni fiskal, i cili penalizonte bankat që dëshironin të klasifikonin kreditë si të humbura duke i ngarkuar me detyrimin për të paguar tatim fitimi për kreditë e këqija. Një pjesë e kredive me probleme ju veshën Qeverisë së shkuar, për shkak të faturave të papaguara ndaj bizneseve për punë publike të kryera prej vitesh. Ndërkohë që përgjegjëset kryesore për pjesën dërrmuese të kredive të këqija në vend janë 35 kompani të mëdha, të cilave u takon rreth 52% e totalit të huave në tërë sistemin. Emrat e kompanive nuk janë bërë kurrë publike, por Banka e Shqipërisë është zotuar që deri në fund të vitit 2016 të ristrukturojë huat e tyre, ose të nisë ekzekutimin e kolateraleve të tyre në favor të bankave.
 
Fshirja nga bilancet
Në prill të vitit 2014, u ndryshua trajtimi i borxhit të keq për qëllime tatimore, duke lehtësuar barrën tatimore mbi bankat. Ky ndryshim mundësoi heqjen e pengesave ligjore për fshirjen e kredive me probleme. Në përputhje me këtë ndryshim, Banka e Shqipërisë ndërmori një ndryshim rregullativ, nëpërmjet të cilit, i detyronte bankat të nxirrnin jashtë bilancit kreditë e humbura, kur kishin tre ose më shumë vjet në këtë status. Ky vendim hyri në fuqi në janar të vitit 2015.
 
Strategjia
Për të adresuar më tej këtë problematikë, në korrik të vitit 2015, Banka e Shqipërisë hartoi planin kombëtar për uljen e kredive me probleme. Konkretisht, ky plan masash përfshin ligjin e ri të falimentit, ndryshime në ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, ndryshime në ligjin për barrët siguruese, si dhe qartësim i ndërveprimit të ligjit “Për procedurat tatimore” me dispozitat e tjera për ekzekutimin e detyrueshëm. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti

Sondazhi i Pepolit/ Rama merr mandatin e katërt më 11 maj me 50.5% të votave! Berisha me aleatët forcë e dytë, por me rënie! Lapaj renditet i treti