Ecja me hapa të ngadaltë e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore për votën e emigrantëve ka ngjallur pakënaqësi te diaspora.

Përmes një letre dërguar dy bashkëkryetarëve të Komisionit, Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeajt Shoqata e Diasporës thonë se po injorohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mundësuar votën e atyre që jetojnë e punojnë jashtë vendit.

“Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në këtë rast mundësimi i ushtrimit të së drejtës kushtetuese për votim për diasporën është kriter i patejkalueshëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Me këtë shkresë, ne kërkojmë mundësinë e një takimi gjithëpërfshirës të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore me përfaqësinë e organizatave tona. Ne besojmë se përfshirja jonë direkt do të jetë vendimtare për të siguruar një proces zgjedhor të ndershëm, transparent dhe të besueshëm për Diasporën shqiptare. Ne gjykojmë se procesi i realizimit të Votës së Diasporës është i ndërlikuar, shumëdimensional dhe nënkupton përfshirjen aktive jo vetëm të Diasporës, por dhe ekspertëve nga fushat e ndryshme, si dhe shumë aktorëve të tjerë institucionalë”, thuhet në letër.

Në mbledhjen e fundit të zhvilluar online në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Gjiknuri e Alibeaj u dakordësuan për të dëgjuar përfaqësues të diasporës, por kjo do të ndodhë vetëm pasi të dëgjohen të gjithë aktorët politikë brenda vendit.

Vota e diasporës është kthyer në ping pong mes KQZ dhe Kuvendit. Teksa afatet ngushtohen mundësia e emigrantëve për të votuar bëhet gjithnjë e më e pamundur në zgjedhjet e 2025.

Sipas të dhënave, nëse diaspora shqiptare do të kishte të drejtën e votës në vend, ajo do e konkurronte, madje do e mundte edhe vullnetin e qytetarëve që punojnë e jetojnë këtu.  Në fund të vitit 2020, numri i shqiptarëve që jetonin nëpër botë sipas INSTAT, ishte 1,684,135, ndërkohë në votimet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, morën pjesë në votime 1,662,274 qytetar.