PRISHTINË, 12 Shkurt /ATSH/.- Shoqata e Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësimin lidhur me konstatimet e evidentuara në raportin vjetor të Reporterëve pa Kufij, "Indeksi i Indeksi i Lirisë së Mediave në Botë 2015".
Kosova është renditur në vendin e 87-të, në listën prej 180 vendesh, duke shënuar përkeqësim nga viti 2014, kur ka qenë në vendin e 80.
Për AGK-në, fakti i prezantuar në raport se dhuna ndaj gazetarëve është rritur është shqetësues dhe dëshmi se mbetet ende shumë punë për t'u bërë për krijimin e kushteve të favorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë.
Shoqata e Gazetarëve të Kosovës kundërshton çdo lloj presioni mbi median e pavarur dhe vlerëson se cënimi i fjalës së lirë është kundër interesave shoqërore.
AGK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve dhe iu bën thirrje gazetarëve, që të vazhdojnë ta ngrenë zërin për problemet që hasin gjatë punës së tyre, për krijimin e një mjedisi të sigurt për punë sa më profesionale./b.j/k.s/









