Norma tatimore 5% për të rivlerësuar pronën nuk është leverdishme për qytetarët. Ky është qëndrimi i Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, të cilët kërkojnë ulje të normës të paktën në 3% për individët.
“Çuditërisht në këtë projektligj i kemi entitetet komerciale me individin të barabartë. Në momentin e pagesës bizneset e kanë mundësinë për ta quajtur shpenzim të zbritshëm, qytetarët jo. Sa më e ulët të jetë barra tatimore, aq më e gjerë është baza që paguajnë tatim dhe aq më ekonomike do dalë alternativa e strehimit në treg. Ky 5% sidomos për banesat do duhet të jetë 3% dhe më pas le të vazhdojmë për entitet komerciale siç ka qenë”, tha Reinaldo Pipiria kreu i NAREA.
Rivlerësimi pronave pritet të nisë në janar të vitit 2026 dhe të mbyllet më 31 dhjetor të vitit tjetër, por sipas shoqatës kjo kohë nuk mjafton për shkak të numrit të lartë të pronave që pritet të përfitojnë.
“Vetë censi i fundit tregon që janë përafërsisht diku te 450 mijë deri në 500.000 banesa të cilat duhet të futen në proces rivlerësimi”, tha Pipiria në Komisionin e Ekonomisë.
Sipas shoqatës rivlerësimit duhet t’i nënshtrohen pronat në proces legalizimi dhe kontratave të porosisë (pra një apartamenti për të cilin është paguar një pjesë e vlerës së tij por nuk është i përfunduar).
“Ne propozojmë shumë që duhet të jenë prona të cilat kanë marrë tashmë një vendim legalizimi dhe duhet të jepet mjaftueshëm kohë që të futen në proces rivlerësimi. Edhe kontratat e porosisë të cilat tashmë janë të regjistruar, pra kanë një gjurmë kadastrale në regjistrin e AHK-së, kanë leje të regjistruar. edhe këto të përfshihen në proces në proces të rivlerësimit”, tha Pipiria.
Përpara deputetëve të komisionit të Ekonomisë Shoqata Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme ka kërkuar të ulet tatimi që paguhet kur shitet prona, të mos jetë 15% siç është aktualisht pasi sipas tyre ka futur në ngërç tregun dhe stimulon informalitetin, duke ulur deklarimin e transaksionit.
“Skema e tatimit mbi fitimin kapital që kemi aktualisht ka shkaktuar përveç se ngërçe në tregun e pasurie e paluajtshme, por ka shkaktuar në të njëjtën kohë dhe deformime, efekte të cilat shkojnë drejtpërdrejt në informalitet. Në momentin e parë që ka mbaruar fushata e rivlerësimit ose dhënia e mundësisë për të pasur një tatim fitimi kapital korrigjuar, tregu ka filluar të ketë deformimet e veta dhe ka filluar të ketë ngërçe. Nuk duhet të jetë 15% siç është aktualisht, sepse nuk e gjen asgjëkund në Evropën e zhvilluar”, deklaron kreu i NAREA.
Komente












