Kallëzimi në SPAK i ministrit të Financave, Petrit Malajt, për çështjen e pagave të magjistratëve, është vetëgjyqësi, thotë Erion Braçe. Në një intervistë në “Frontline” në Report Tv, deputeti socialist shpreh të njëjtin argument të artikuluar deri më tani nga qeveria, bazuar te vendimi i Gjykatës Kushtetuese: përcaktimi i pagave i takon Kuvendit.
Gjyqtarët duhet të kuptojnë se buxheti i shtetit nuk i përket ministrit, vijon më tej ai. Detyra e ministrisë, shprehet Braçe, është pikërisht ruajtja e buxhetit dhe jo plotësimi i tekave.
“Serioziteti i shtetit është A-ja. Në këtë rast, serioziteti i shtetit është në nivele minimale. Gjyqtarët duhet të fillojnë të adoptojnë një sjellje tjetër, prej nëpunësish publikë të shtetit, jo njerëzish që kanë në dorë fatin e gjithkujt. Të kallëzosh ministrin e Financave kur Gjykata Kushtetuese ngarkon Kuvendin me përcaktimin e rrogave, minimalisht është vetëgjyqësi. Siç sillen ata atje në rrugë, të sillet tani niveli më i lartë i gjyqësorit në Shqipëri. Bëri mirë Sadushi që bëri mbledhjen e gjyqtarëve sepse e futi në hulli ligjore e kushtetuese çështjen, por ndërkohë një pjesë tjetër kishte shkuar në SPAK të kallëzonte ministrin e Financave. Ministri i Financave është aty si roja i harbimit fiskal. Duhet të rrijë atje për të menaxhuar rregullat e ligjit të sistemit buxhetor të Shqipërisë, jo të tekave. Nuk është buxheti i shtetit për këtë gjë dhe këta duhet të kuptojnë që ato janë para të krijuara nga taksat e qytetarëve, s’janë të ministrit. Në këtë çështje këta duhet të pozicionohen një herë e mirë dhe për fat, e ka vendosur Gjykata Kushtetuese. Unë kam rezerva të mëdha për logjikën që ka përdorur Gjykata Kushtetuese, por si vendim duhet ta zbatoj. Në këtë pikë, po flas për seriozitetin e parlamentit”, shprehet Braçe.
Kritikë për seriozitetin e parlamentit është pikërisht mosmarrja e vendimit brenda afatit të Kushtetueses. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin.
Braçe e sheh logjikën e institucioneve të drejtësisë për përllogaritjen e pagës si jashtë realitetit dhe kërcënim për qëndrueshmërinë fiskale.
“Ajo që di është se ne duhet të kishim marrë vendim brenda datës 31 korrik. Duhet t’i kishte dhënë zgjidhje të miratonte koeficientin dhe rrogat. Sjellja e tyre nuk është ajo që keni parë në media. Jam interesuar dje pranë Ministrisë së Financave, por niveli administrativ i gjykatave e prokurorive pse duhet përfshirë? Kanë çuar listat bashkë me ta në Thesarin e Shtetit. Është synuar, është diskutuar me ta që ndajeni pjesën administrative, kanë refuzuar të ndajnë borderotë. Në fund fare, këta nuk mund të caktojnë rrogat e tyre. Gjykata Kushtetuese nuk thotë që gjyqtarët e prokurorët të caktojnë rrogat. Këta duhet të kuptojnë që buxheti i shtetit ka limite. Nuk mund të kalojnë në harbim. Nëse shkojnë në koeficientin dhe formulën e KLGJ e KLP, duhet t’u japim gjyqtarëve e prokurorëve menjëherë 30-50 mln lekë. Çfarë është kjo? Mendojnë këta njerëz apo nuk mendojnë? Unë jam ekonomist dhe para atyre më intereson qëndrueshmëria fiskale e këtij vendi. Parlamenti ka detyrë të miratojë sa më parë ligjin dhe të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Braçe.
Qeveria ngulmon gjithashtu se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet duke pasur parasysh qëndrueshmërinë dhe mundësitë e buxhetit të shtetit.

Gara për bashkinë e Tiranës është kriter i panegociueshëm për Erion Braçen. Ambicien e tij të shprehur për të marrë drejtimin e qytetit dëshiron ta shohë përmes një gare mes socialistëve dhe jo një emri të zgjedhur brenda dyerve të mbyllura.
Vendimmarrja duhet të jetë reflektimi i parë nga protesta e më shumë se 100 ditëve përpara kryeministrisë, thotë në “Frontline” në Report Tv deputeti socialist. Njerëzit duhet të dëgjohen përpara se të merren vendimet.
Erion Braçe: Një garë po kërkoj, jo vetëm me Manastirliun, me këdo që ka ambicie. Mund të jetë cilido që s’e ka pështyrë PS. Një njeri që ka qenë atje matanë dhe vazhdimisht ka pështyrë PS, duhet të kandidojë përballë meje? Jo. Cilido që aspiron ta bëjë këtë qytet më të mirë, brenda një platforme të majtë, deri progresiste, të vijë brenda një gare ku ftohen socialistët, simpatizantët e tyre e cilido tjetër i majtë që mendon dhe beson se një kandidaturë e tij në bashkinë e Tiranës ndryshon qytetin.
-Si do të bëhet ky proces? Mendoni që Rama do ta lejojë të bëhet një garë e tillë?
Erion Braçe: Për këtë pyesni Ramën. Unë mendoj që ne duhet të zbatojmë Kushtetutën. Nëse si socialist nuk thirrem për të zgjedhur, por thjesht njoftohem për të votuar në zgjedhje të përgjithshme vendore, pra nuk funksionon të zgjidhesh e të zgjedhësh, kemi një problem të madh me demokracinë. Ata që ishin në protestë javën e parë, problemin më të madh me mazhorancën kanë marrjen e vendimeve për ta pa i dëgjuar ata, pa i shpjeguar, pa i pyetur dhe pa u përgjigjur. Kjo bëhet e prekshme kur vendimet janë afatgjata. Kjo shumicë përcakton të ardhmen pa i dëgjuar ata. Nëse do të kishim një reflektim të parë dhe serioz për protesën, duhet të jetë në aspektin e vendimmarrjes sonë.
Vota duhet të jetë përcaktuese për procesin, thekson Braçe. Ai do të jetë pjesë e fushatës së kandidatit të votuar dhe mohon çdo alternativë tjetër, edhe nëse është emri i tij.
“Nëse ka garë brenda PS dhe e gjithë kjo trupë vendos që kandidati për kryetar bashkie të jetë i ndryshëm nga unë, pra vendos me votë, unë do të jem pjesë e fushatës së PS për ta bërë fitues atë kandidat që socialistët kanë zgjedhur për ta përfaqësuar në bashkinë e Tiranës. Nëse bëhet me njoftim, nuk bëj fushatë. Edhe nëse është emri im ky i njoftuari, nuk do ta pranoj. Dua proces brenda Partisë Socialiste”, shprehet deputeti.
Detyrën e kryebashkiakut e sheh si një vend pune nga më të rëndësishmit dhe jo si formë pushteti.
“Bashkia e Tiranës nuk është pushtet, është vend pune. Nuk po kërkoj pushtetin, as ofiqin, as karrigen, as përmbylljen e karrierës sime në mënyrën më ekzemplare të mundshme, as vendin e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Nuk po kërkoj as të bëhem kryeministër. Kam një parim timin që nga andej prej nga iki, nuk kthehem më. Po kërkoj punën e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës është një vend pune dhe është një nga më të rëndësishmit që ka Shqipëria. Edhe pse është kështu, nuk mund të kalojë pa garë, duhet të kalojë me garë”, shprehet Braçe.
Mosfunksionimi i bashkisë pa kryetarin Erion Veliaj në zyrë ishte zhgënjyese për deputetin. Sipas tij, mbarëvajtja e institucionit nuk do të ishte cenuar nëse gjithsecili do të bënte detyrën me rigorozitet.
Erion Braçe: Nëse gjithsecili di punën e tij dhe çohet në mëngjes në 7 dhe jo në 9 për të shkuar në punë dhe bën detyrën e tij deri në fund, edhe për ta kontrolluar si u bë, nëse automatizohet puna e skuadrës, institucioni funksionon edhe pa kryetarin e bashkisë.
-E keni lexuar si sabotim?
Erion Braçe: Nuk besoj që është sabotim, por shkrehje totale e punës.

Deklaratës së kryeministrit Edi Rama se çdo deputet që ndërhyn për t’u siguruar vende pune votuesve do të konsiderohet vepër penale, Erion Braçe iu përgjigj se nuk do ta votojë ligjin për sa kohë nuk ka sisteme punësimi për gratë e vajzat.
Nga studioja e “Frontline” në Report Tv, deputeti thotë haptazi se do të vazhdojë ta shkelë ligjin për gratë e vajzat që kërkojnë vetëm të sigurojnë sadopak të ardhura dhe nuk kanë mundësinë për të gjetur punë.
“Në rast se atje ka një sistem të punësimit dhe unë ndërhyj për ta deformuar, korruptuar, po ka të drejtë ai. Po në rast se atje matanë nuk ka sistem, mbi të gjitha për gra e vajza, kryefamiljare të vetme, me fëmijë që nuk gjejnë akses për një mundësi punësimi, do të vazhdoj a bëj dhe çdo ligj të bëhet, për ato gra e vajza do ta shkel nëse atje matanë nuk ka një sistem që edhe këto gratë që janë me shkollë 9-vjeçare e të mesme, nuk kanë pretendime për specialiste, por për vende pune çfarëdo që të garantojë të ardhurat për 2-3 fëmijë, po, do ta bëj. Do të vazhdoj ta bëj. Të ndërtojnë sisteme për këto gra, janë nevojë për këto gra. Nëse s’ndërtohen sisteme për to, unë do të vazhdoj ta thyej. Unë nuk votoj ligj nëse s’ka sistem për ato gra. Drejtorë nuk kam bërë, njerëz në nevojë do të vazhdoj të ndihmoj”, thotë Braçe.
Harta e re territoriale nuk duhet të jetë vetëm çështje kufijsh, thotë Erion Braçe në një intervistë për “Frontline” në Report Tv.
Bashkia duhet të gëzojë më shumë kompetenca dhe reforma të sjellë delegim të pushtetit, buxhetit për arsimin, kujdesit shëndetësor, bujqësisë e legalizimit të pronave, shprehet deputeti.
“E gjithë reforma po mbytet në çështje kufijsh, bashkish. Reforma nuk duhet mbytur në këtë gjë dhe atyre njerëzve duhet t’u jepet një përgjigje shumë e qartë me një delegim masiv të pushtetit nga qeveria qendrore te vendore dhe nga i pari i qeverisë vendore te kryeplaku. Reforma duhet të diskutonte pikërisht për këtë lëshim masiv të pushtetit. Fjala bie, arsimi s’duhet të jetë më si domain i Ministrisë së Arsimit, buxheti duhet t’u kalojë bashkive. Shërbimi publik duhet të kthehet në trend. Të gjithë kemi akoma 400-500 fëmijë pa sistemuar në çerdhe e kopshte. Unë kam Komunën e Parisit pa kopësht, çerdhe e shkollë. Legalizimi, bujqësia, shëndetësia, kujdesi parësor duhet të shkojnë te bashkitë. Kjo e bën reformën. Nuk e bën bashkimi me një bashki tjetër. E bën delegimi i pushtetit, heqja dorë nga pjesë të rëndësishme të pushtetit për t’i çuar ato te qytetarët”, thotë Braçe.
Një pjesë e institucioneve nuk funksionojnë, thotë Braçe ose ka distancë mes tyre dhe problemit në territor. Kritika të forta ka për policinë bashkiake që nuk gjobit për krimet mjedisore, por edhe për Policinë e Shtetit që nuk reagon njësoj si ndaj krimeve të tjera.
Kadastra është një tjetër institucion që deputeti e sheh jo efikas pasi afati i legalizimeve është tejkaluar. Legalizimi automatik në rast kur nuk ka konflikt do të ishte një ndryshim ligjor që do të zgjidhte problematikat, sugjeron deputeti.
“Pse Policia e Shtetit nuk reagon ndaj krimit mjedisor? E di sa turp më vjen kur shoh të huaj që kanë ardhur për të pushuar dhe sa dalin nga pallati shohin mbeturina plot? Policia bashkiake nuk e nxjerr bllokun për t’i vënë gjobën atij që ndot ambientin. Janë institucione që duhet të mendojnë për çdo aspekt të territorit. Është punë kjo, ashtu si kadastra vijon të funksionojë me sloë motion. Legalizimet s’duhet të ishin funksion i kadastrës. Ka gjëra që kanë ngecur apo ka afate që janë thyer, por shklyer fare. Ky afati i legalizimeve është shklyer. Kadastra duhet të jetë thjesht mbajtësja e titujve të pronësisë, jo dhënësja. Këtë duhet ta bënte bashkia. Tani ka ardhur momenti për një gjë akoma më të rëndësishme. Deri vitin tjetër duhet të ketë një ndryshim ligjor që këto konsiderohen automatikisht të legalizueshme nëse s’janë në konflikt me kufitarin. Duhen zgjidhur”, thotë Braçe.

Erion Braçe do të jetë i pari që ‘do ta thyejë’ Pasqyrë Albania nëse ajo nuk funksionon. Ajo që ai e cilëson të rëndësishme gjatë intervistës në “Frontline” në Report Tv, është që si deputetët, ashtu edhe qytetarët, ta provojnë. Edhe pse vetë Braçe është vazhdimisht në terren, këtë mundësi e sheh si një formë për të krijuar besim.
“Pasqyrë Albania na jep mundësinë ne deputetëve që çfarë marrim si shqetësime personale, individuale apo komunitare t’i hedhim në një platformë që kanë akses dy palë, pala qeverisëse dhe qytetarët që mund ta ndjekin marrjen e përgjigjes në kohë reale. Është element për t’u provuar, ka lidhje me punën tonë si deputetë dhe besimin që duhet të krijojnë qytetarët te ajo që po bëjmë në mënyrë të organizuar. Unë dua ta provoj, ashtu si edhe qytetarët duhet ta provojnë me qëllim që ta bëjmë të funksionojë. Në momentin që funksionon, ka sukses. Në momentin që nuk funksionon, unë i pari do e thyej pasqyrën”, shprehet Braçe.
Mekanizmi i prezantuar nga kryeministri Rama nuk është i vonuar, por deputetët e rinj apo edhe ata që e ushtrojnë prej kohësh këtë detyrë, kanë humbur kohë. Megjithatë, në nota optimizmi, thotë se s’është vonë për t’iu gjendur pranë njerëzve.
“Ai personalisht nuk është i vonuar, ka deputetë që janë të vonuar. Kush është për herë të parë dhe s’e ka kuptuar punën e deputetit, e ka shpenzuar në mënyrë jo produktive vitin e parë. Kush e ka ditur ç’është puna e deputetit dhe s’e ka bërë, është në një pozitë komplet tjetër. Mendoj që gjithkush nga ne ka punë kontaktin me njerëzit, dëgjimin, mbajtjen shënim, zgjidhje, kritikë, dhënie llogarie, përgjigje e me radhë. Kjo është puna që duhet të bëjë një deputet, unë kështu e kam kuptuar dhe bërë prej 30 vitesh. Nuk është kurrë vonë për të takuar njerëzit”, thotë deputeti.
Braçe thotë se deputetëve u është vënë në dukje mungesa e pranisë në territor, por as institucionet s’kanë mbetur pas. Ndërsa ‘Besa’ ndërlidh praninë me disa elementë: dëgjimin, përballjen e qeverisë dhe parlamentit me ndikimin konkret të vendimeve të tyre te njerëzit.
“E para dhe mbi të gjitha është prani. Ti e ke detyrim praninë tënde në territor në ato lagjet, rrugët, kthinat etj. Tirana është shumë e madhe, edhe ne jemi shumë, mund ta mbulojmë Tiranën me prani të deputetëve. E dyta, është ai sensi i të dëgjuarit që ndonjëherë kur ke pusshtet (të gjatë), humbet. Ti i merr të mirëqena marrëdhëniet me qytetarët, hë se aty janë. Nuk është kështu, është një marrëdhënie që ndërtohet përditë dhe duhet t’i qëndrosh përditë asaj. Kur flasim për besën, jo më kot kam dhënë besë 30, kam marrë besë 30 vjet, kam mbajtur besë 30 vjet se është shumë e rëndësishme edhe kjo. Së treti, është përballja e ekzekutivit dhe legjislativit me vendimet e veta në territor. Çfarë efekti kanë vendimet që kanë marrë te njerëzit. Po ju marr një shembull, pensionet. Nuk mendoj që është problem i vështirë për t’u zgjidhur afati i një dite për të marrë pensionin e plotë të pleqërisë. Janë mijëra njerëz që për një vit kanë humbur kompensimin e plotë të pensionit të pleqërisë”, shprehet Braçe.










Komente
Komento