TIRANE, 12 Shkurt / ATSH-E.Xhajanka/- Asambleja e Anëtarëve të Shoqatës Shqiptare të Bankave  zgjodhi në mbledhjen e radhës (të martën) Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri si Kryetarin e ri të Shoqatës Shqiptare të Bankave,  me një mandat dy vjeçar.
Zoti Canacaris zëvendëson në këtë pozicion  Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm i Banka Kombëtare Tregtare. Pas votimit, Canacaris falënderoi përfaqësuesit e bankave anëtare dhe zotin Pencabligil për punën e bërë gjatë këtyre viteve, dhe u angazhua të vijojë zhvillimin e marrëdhënieve të mira të AAB-së me aktorët e tjerë në treg, dhe të sjellë ide të reja në udhëheqjen e Shoqatës.
Christian Canacaris është Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri që nga tetori i vitit 2010. Z.Canacaris ka një karrierë të gjatë në fushën e thesarit dhe tregjet e kapitaleve. Ai iu bashkua Raiffeisen Bank në Shqipëri në prill të vitit 2004 si Anëtar Bordi për Thesarin, Bankingun e Investimeve dhe Tregjet e Kapitaleve, pas një përvoje disa vjeçare në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore. Z. Canacaris është diplomuar në Universitetin e Parisit, Pantheon-Sorbonne me rezultate të shkëlqyera në Financa Ndërmarrjeje dhe e Drejtë Biznesi, si edhe ka një master në Ekonometri, Matematikë dhe Statistikë. Në vitin 2009 Z. Canacaris përfundoi një Master në Menaxhim e Administrim Biznesi në Universitetin prestigjioz britanik të Mancesterit. Z. Canacaris ka marrë nënshtetësinë shqiptare vitin e kaluar./a.g/